2010-03-29 18:07:19

Dy atentate në Moskë, rreth 40 të vdekur


(29.03.2010 RV)Rusia e shokuar për atentatin e dyfishtë, që goditi sot në mëngjes dy stacione të metropolitanës së Moskës, jashtëzakonisht të frekuentuara. Rreth dyzet – të vdekurit, ndërsa dhjetra të plagosur janë transportuar nëpër spitalet e kryeqytetit.
Të dyja shpërthimet janë vepër e dy grave kamikaze, që sipas policisë, kanë të bëjnë me terrorizmin islamik në Kaukazin Verior. Ato mbanin rreth 3 kg tritol secila, që u ndez në stacionin e Lubiankës dhe të Park Kulturi. Një sasi tjetër është gjetur e pashpërthyer në stacionin Park Kulturi. Presidenti Medvedjev, duke i folur kombit, theksoi se Rusia do të vazhdojë ta luftojë terrorizmin, deri në zhdukjen e tij. Më i ashpër, komenti i kryeministrit Putin, i cili premtoi se përgjegjësit e kësaj masakre do të gjenden dhe asgjësohen.
I njëzëshëm, dënimi i bashkësisë ndërkombëtare. Kryeipeshkvi katolik i Moskës, duke shprehur ngushëllimet e veta për viktimat, tha se nesër e pasnesër, besimtarët e Moskës e të Shën Pietërburgut do të luten për të mirën e popullit rus e të kryeqytetit. Në fakt, shpërthimet ndodhën pikërisht në çastin kur po kremtohej Mesha në dy kisha të zonës. Ndërkaq, Patriku ortodoks Kirill e ftoi popullsinë të mos krijojë panik. Të dëgjojmë analizën e korrespondentit të gazetës italiane “Corriere della Sera” në Moskë, Fabricio Dragozei:RealAudioMP3
Sigurisht, është një goditje në zemrën e pushtetit rus. Vendet e zgjedhura për këto atentate nuk janë të rastit. Njëri prej stacioneve, ai i Lubiankës, që është më i famshmi, ndodhet afër zyrave të nëndheshme të ish-KGB.së, sot FSB, shërbime sekrete që janë marrë me luftën kundër terrorizmit çeçen. Prandaj, sinjali është mëse i qartë. Mund të jetë edhe hakmarrja për vrasjen e njërit prej krerëve të guerriljes, gjatë ditëve të kaluara në Ingushecia.
Autoritetet moskovite deklaruan edhe sot se do ta vazhdojnë luftën kundër terrorizmit, ashtu si më parë…
Sinjali që dëshiron të japë Kremlini është lufta pa kompromis. Kjo gjë na shqetëson për shkak të ndikimit që mund të ketë në respektimin e të drejtave të njeriut në zonat e Kaukazit, ku në të kaluarën, kjo luftë është bërë me sisteme të papranueshme për një vend demokratik, siç dëshiron të jetë Rusia.
Metropolitana e Moskës transporton çdo ditë, mbi 9 milion vetë: një objektiv i ndjeshëm, por edhe i lehtë…
Po, sepse metropolitana është jashtëzakonisht e madhe: në Moskë kemi 300 km, me stacione të shumta dhe të frekuentuara, edhe nga persona që vijnë nga jugu për të shitur prodhimet e tyre në Moskë, prandaj hyjnë në metropolitanë me çanta të stërmëdha, me xhepa, ku kanë mallra të çdo lloji. Nëse eksplozivi ishte vetëm 3 kg tritol, do të thotë se nuk nevojiteshin aspak çanta të mëdha, mjaftonte një çantë e vogël shpine. Atentatorë të tillë janë tepër të vështirë për t’u gjetur në një metropolitanë, që transporton kaq shumë njerëz..







All the contents on this site are copyrighted ©.