2010-03-29 18:24:35

Biblioteka Apostolike e Vatikanit dixhitalizon dorëshkrimet e saj të çmuara


(29.03.2010 RV)RealAudioMP3 Që prej disa javësh, Biblitoke Apostolike e Vatikanit ka filluar dixhitalizimin e rreth 80 mijë dorëshkrimeve, që bëjnë pjesë në fondet e saj. Projekti akoma duhet financiuar plotësisht, por aktualisht ka mbaruar studimi dhe po bëhet kolaudimi. Për rëndësinë historike, kulturore e shkencore të tij, të dëgjojmë prefektin e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, imzot Çezare Pazini:
Një projekt tashmë i perfeksionuar, që duhet të fillojë së shpejti. Kur të kemi fondet e nevojshme, do të fillojë faza operative. Sigurisht, mund ta quajmë historik, sepse është hera e parë që të gjitha dorëshkrimet në dorë të Bibliotekës do të fotografohen e pastaj do të ruhen për t’u përdorur në njëmijë mënyra nga studiuesit e nga vetë biblioteka.
A mund të na jepni ndonjë shifër?
Parashikohet që faqet për t’u fotografuar e dixhitalizuar të jenë 40 milion. Meqenëse fotografitë janë me cilësi të lartë, hapësira informatike e nevojshme llogaritet në 45 petabyte. Njësia petabyte përbëhet nga 45 x 10005 byte.
Sa parashikohet të zgjasë ky operacion?
Dhjetë vjet, jo domosdoshmërisht njëri pas tjetrit: janë tre vjet, pastaj tre të tjerë, pastaj katër. Nëse për arsye të ndryshme, si për shembull gjetja e fondeve, do të na duhet të shtyjmë etapat, pas tre vjetësh, puna do të arrijë në atë nivel sa mund të ndërpritet përkohësisht.
Ç’është kjo faza e kolaudimit, që e keni filluar tashmë?
Ne e quajmë “testbet”, pra kolaudim, i cili është prova e funksionimit në miniaturë. I njëjti format përdoret edhe nga NASA për të ruajtur fotografitë e misioneve në kozmos. Pastaj verifikojmë nëse funksionon krejt rrjeti. Kjo do të na lejojë t’i ruajmë materialet më mirë për të ardhmen, pasi do të jenë të fotografuara. Së dyti, do të thotë të mos preken gjithnjë dorëshkrimet. Me imazhet e tyre, studiuesit mund të lidhen edhe përmes internetit, me një program të veçantë. Kjo u lehtëson punën studiuesve, pasi programi kërkon në mesin e dorëshkrimeve atë që u duhet, ose gjëra të ngjashme. Pra zëvendëson punën, që duhet për t’i parë ato një për një.







All the contents on this site are copyrighted ©.