2010-03-29 18:22:32

Benedikti XVI për Gjon Palin II, në pesëvjetorin e vdekjes: shok udhe me njeriun e sotëm, për të përhapur në botë parfumin e dashurisë së Hyjit.


(29.03.2010 RV)Sot, në orën 18.00, në Bazilikën e Vatikanit, Benedikti XVI kryesoi Meshën për shpirt të Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II, në pesëvjetorin e kthimit tek Shtëpia e Atit hyjnor. Kremtimi u përshpejtua, sepse sivjet më 2 prill bie e Premtja e Madhe.
Gjithsesi jemi në Javën e Madhe, liturgjia e së cilës na kujton ditët e fundme të jetës së Jezusit, e edhe të Papës Gjon Pali II, profet i frymëzuar, të cilin Zoti e thirri në shërbim, duke i besuar detyra me përgjegjësi gjithnjë më të madhe, por edhe duke e shoqëruar me hirin e tij e me ndihmën e vazhdueshme. Kështu u shpreh Benedikti XVI, në sa komentonte Leximin e parë biblik, në të cilin Isaia Profet paraqet figurën e ‘Shërbëtorit të Hyjit”, që është njëkohësisht i zgjedhuri i Zotit:
“Gjatë papnisë së tij shumëvjeçare, Gjon Pali II u përpoq ta shpallë të drejtën me vendosmëri, pa ligështi e pa lëkundje, posaçërisht kur iu desh të matej me kundërshtime, me armiqësi e me mohime. E dinte se Zoti vetë e merrte për dore, e kjo e ndihmoi ta kryente me fryt të madh shërbimin e tij, për të cilin edhe një herë falënderojmë Hyjin”.
Papa u ndalua gjatë edhe në komentin e Leximit të dytë, duke vënë ballë për ballë qëndrimin e përvujtë të Marisë e të vetë Krishtit në Darkën e Mbrame, kur u lan këmbët dymbëdhjetë apostujve - e qëndrimin e Judës, që s’është në gjendje ta nuhasë erën e mirë të dashurisë hyjnore; që bën llogari, atje ku nuk mund të llogaritet e hyn, me shpirt të vogël, në hapësirën e dashurisë së pafundme, të dhuratës, të përkushtimit të plotë. E këtë qëndrim e mban, në sa…:
“Biri i Zotit dhuron vetveten, që njeriu të ketë jetë; zbret në humnerat e vdekjes, për ta ngritur njeriun në lartësinë e Hyjit, nuk ka frikë nga poshtërimi, duke u bindur deri në vdekje, në vdekjen mbi kryq”.
Kështu u shpreh Papa e, në vijim, citoi Shën Agostinin, i cili shkruan: “Çdo shpirt, që dëshiron të jetë besnik, bashkohet me Marinë e, si ajo, i lyen këmbët e Jezusit me parfum të çmuar… Lyeji këmbët e Jezusit, ec në gjurmët e Zotit, duke jetuar një jetë të denjë. Teri këmbët e Zotit me flokë e, në se ke shumë, jepjau të varfërve”. (Në Ioh.,50,6).
Pas komentit të teksteve biblike, Benedikti XVI u ndalua posaçërisht tek jeta e Gjon Palit II, që ishte plot me këtë dashuri të krishterë, plot me aftësi për të dhuruar bujarisht gjithçka, pa asnjë rezervë, pa asnjë masë, pa asnjë llogari. E vinte në lëvizje dashuria për Krishtin, të cilit ia kishte kushtuar gjithë jetën, një dashuri tejet e madhe, pa asnjë kusht:
“E pikërisht sepse u afrua gjithnjë më shumë me Zotin në dashuri, ai mundi të bëhej shok udhe për njeriun e sotëm, duke përhapur në botë erën e mirë të dashurisë së Hyjit. Kush pati rastin ta njohë e ta takojë, mundi të prekë me dorë sa i sigurtë ishte se po ‘kundronte mirësinë e Zotit, në tokën e të gjallëve’, siguri që u duk në mënyrë të veçantë gjatë periudhës së fundit të shtegtimit të tij mbi këtë tokë: ligështia fizike nuk ia lëkundi kurrë fenë shkëmbore, shpresën e ndritshme, dashurinë e zjarrtë për Zotin. U shkri dalëngadalë për Krishtin, për Kishën, për mbarë botën: e duroi vuajtjen, deri në vdekje, për dashuri e me dashuri”.
Kështu e portretizoi Benedikti XVI Gjon Palin II e, në vijim, kujtoi Homelinë e Papës Vojtila në XXV vjetorin e papnisë, kur rrëfeu se në çastin e zgjedhjes, dëgjoi fuqimisht në zemrën e tij pyetjen, që Jezusi i pati bërë Pjetrit: “A më do? A më do më shumë se këta?" (Gjn. 21,15-16) e shtoi: “Vijonte çdo ditë në zemrën time ky dialog ndërmjet Pjetrit e Jezusit, i cili, ndonëse i vetëdijshëm për ligështinë time, më jepte zemër t’i përgjigjesha me të njëjtin besim, që pati Pjetri: “Zot, ti di gjithçka, ti e di se të dua!” (Gjn 21,17).
Janë fjalë të ngarkuara me fe e me dashuri, me dashurinë e Zotit, që fiton gjithmonë.
Pas këtij përshkrimi thellësisht të ndjerë, Papa përshëndeti, në gjuhën polake, bashkatdhetarët e Gjon Palit II, mbledhur me këtë rast në lutje, rreth varrit të Karol Vojtilës. Ndërmjet tyre, edhe kardinali Dxhivish.
Si bij e bija të tokës polake, Benedikti XVI i ftoi të jenë krenarë për Polakun e madh.
Por duhet të kujtoni – theksoi – se kjo është edhe thirrje e madhe për të qenë dëshmitarë besnikë të fesë, të shpresës e të dashurisë, që Gjon Pali II nuk pushon s’e mësuari.
E, në përfundim të homelisë, Benedikti XVI kujtoi ditën e sotme, me të cilën për të gjithë besimtarët katolikë filloi Java e Madhe:
Ndërsa vijojmë kremtimin eukaristik, duke u përgatitur të jetojmë ditët e lumnueshme të Mundimeve, të Vdekjes e të Ngjalljes së Zotit, t’ia besojmë plot shpresë vetveten, sipas shembullit të Gjon Palit II, së Lumes Mari, Nënës së Kishës, e t’i lutemi të na ndihmojë në impenjimin për të qenë, në çdo rrethanë, apostuj të palodhur të Birit të saj hyjnor e të dashurisë së tij të mëshirshme”.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.