2010-03-28 17:46:05

Në të Dielën e Larit, thirrja e Benediktit XVI për paqen në Jeruzalem. Papa u kërkon besimtarëve të ndjekin Krishtin pa pasur frikë nga fyerjet e keqkuptimet.


(28.03.2010 RV)Paqe për Jeruzalemin, paqe për Tokën Shenjte. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në të Dielën e Larit, Benedikti XVI e ngriti zërin për fundin e tensioneve në Qytetin e Shenjtë. Kjo thirrje u parapri, gjatë Meshës në Sheshin e Shën Pjetrit, nga kërkesa këmbëngulëse për paqen në krejt Tokën Shenjte. Gjithashtu, Papa i këshilloi të rinjtë, që kishin mbushur sheshin plot e përplot me entuziazmin e tyre, në Ditën e 25-të Botërore të Rinisë, ta ndjekin Jezu Krishtin, pavarësisht se kjo mund të sjellë fyerje e keqkuptime. Nuk duhet të frikësohemi nga opinioni mbizotërues, pohoi Ati i Shenjtë para 50 mijë shtegtarëve. Benedikti XVI kryesoi procesionin e degëve të ullirit e të palmave në Sheshin e Shën Pjetrit, duke lëvizur me papamobil, në mënyrë që të mund ta shihnin të gjithë.RealAudioMP3
Ja fjalët e Atit të Shenjtë për Jeruzalemin, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot:
“Ndjej thellësisht dhimbje për kontrastet e tensionet e fundit, që po ndodhin sërish në atë Qytet, i cili është atdheu shpirtëror i të krishterëve, i hebrenjve dhe i myslimanëve, profeci e premtim për atë pajtim universal, që Zoti e dëshiron për krejt familjen njerëzore. Paqja është dhuratë, që Zoti ia beson përgjegjësisë së njeriut, në mënyrë që ta kultivojë përmes dialogut dhe respektit për të drejtat e të gjithëve, përmes pajtimit e faljes. Të lutemi, pra, që përgjegjësit e fatit të Jeruzalemit të ndërmarrin me guxim rrugën e paqes e ta vazhdojnë atë me këmbëngulje!”
Më pas, Benedikti XVI kujtoi paraardhësin e tij në fronin e Shën Pjetrit, Papën Gjon Pali II, intuita e të cilit bëri të fillonte kremtimi i Ditëve Botërore të Rinisë, një lloj shtegtimi i të rinjve në të gjithë planetin pas gjurmëve të Jezu Krishtit:
“25 vjet më parë, Paraardhësi im i dashur i ftoi të rinjtë të dëshmonin fenë e tyre në Krishtin, i cili “ka marrë mbi vete çështjen e njeriut”. Sot, unë e rinovoj këtë thirrje për brezin e ri, që të japë dëshmi me forcën e butë e të ndritshme të së vërtetës, që burrave dhe grave të Mijevjeçarit të tretë të mos u mungojë modeli më autentik: Jezu Krishti”.
Një mandat ky, që Papa ua dorëzoi në veçanti 300 delegatëve të Forumit ndërkombëtar të të rinjve, të mbledhur në Takimin e organizuar nga Këshilli Papnor i Laikëve. Duke përshëndetur shtegtarët në gjuhën italiane, Benedikti XVI i ftoi të rinjtë të mos kenë frikë kur, në rrugën pas gjurmëve të Krishtit, ndeshen me keqkuptime e fyerje. E u tha të ndihmojnë personat më të brishtë, si bashkëmoshatarët e tyre në nevojë. Papa siguroi se do të lutet për Ditën Botërore të autistëve, organizuar nga OKB-ja, më 2 prillin e ardhshëm.

Para Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Meshën e kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, të mbushur plot me besimtarë, Benedikti XVI u ndal në temën themelore të së Dielës së Larit: rruga pas gjurmëve të Krishtit, si rrugë e drejtë për t’u bërë njeri. Të jesh i krishterë, theksoi Papa, sidomos për të rinjtë, që festuan sot Ditën e 25-të Botërore të Rinisë, do të thotë të vihesh për rrugë sëbashku me Krishtin drejt dashurisë, drejt Zotit. Kështu, njeriu bëhet më njeri, pasi e ngre shpirtin e vet gjithnjë e më lart, në vend që të bjerë në kënetën e gënjeshtrës dhe të çnderimit. Është pikërisht Jezusi, që na tregon rrugën e drejtë:
“Jezusi ecën para nesh e shkon drejt lartësive. Ai na udhëheq drejt asaj që është e madhe, e pastër, na udhëheq drejt ajrit të shëndetshëm të majave: drejt jetës sipas së vërtetës; drejt guximit që nuk frikësohet nga gumëzhima e opinionit mbizotërues; drejt durimit që mbështet dhe përkrah tjetrin. Ai na çon drejt disponibilitetit për të vuajturit, për të braktisurit; drejt besnikërisë ndaj tjetrit edhe kur kjo bëhet e vështirë nga situata”.
Krishti, shtoi Papa, na shtyn të ndihmojmë, të bëjmë mirë edhe atëherë kur nuk marrim asnjë falenderim për këtë. Jezusi, na tregon Ungjilli, ngjitet në Jeruzalem, qyteti ku ndodhej Tempulli i Zotit, për të kremtuar Pashkët sëbashku me Izraelin. Shkon drejt kësaj feste, duke e ditur se Ai është Qengji i flijimit. Por, shpjegoi Benedikti XVI, Jezusi e di se rruga e tij shkon më tej, nuk mbaron me kryqin. E di se rruga e tij do të zhdukë velin, që e ndan këtë botë me botën e Hyjit:
“E di se korpi i tij i ngjallur do të jetë flija e re e Tempulli i ri: se përreth Tij, nga aradhja e Engjëjve dhe e Shenjtorëve, do të formohet Jeruzalemi i ri, i cili është në qiell, por ai është që tani, edhe në tokë, sepse me anë të Mundimeve të Tij, Krishti hapi kufirin ndërmjet qiellit e tokës”.
Rruga e Krishtit çon në lartësitë e vetë Zotit e kjo është ftesa e Jezusit për secilin prej nesh, theksoi Papa. Ai na shoqëron në këtë rrugë, të cilën nuk mund ta bëjmë vetëm me forcat tona. Është Kisha, tha Benedikti XVI, ajo që na ndihmon për të hedhur hapat përpara, si të ishim një grup alpinistësh të lidhur në të njëjtin litar. E Ati i Shenjtë kritikoi ata që mendojnë se mund të bëjnë edhe pa të:
“Në këtë litar, ku lidhemi sëbashku, bën pjesë edhe të mos sillemi si padronë me Fjalën e Zotit, të mos vrapojmë pas një ideje të gabuar emancipimi. Përvujtëria e “të qënit me (dikë)” është thelbësore për ngjitjen. Bën pjesë në të edhe fakti që në Sakramente e lejojmë Zotin të na marrë për dore; e lejojmë Atë të na pastrojë e të na forcojë; e pranojmë disiplinën e ngjitjes, edhe kur jemi të lodhur”.
Në këtë rrugë, sqaroi Papa, bën pjesë edhe Kryqi, që në analizë të fundit është shprehje e kuptimit të dashurisë: vetëm ai që e humb vetveten, e gjen. Benedikti XVI kujtoi shtegtimin e tij në Tokën Shenjte, mallëngjimin që ndjeu në Nazaret, në Betlehem, në Varrin e zbrazur. Besimi në Jezu Krishtin – tha – nuk është legjendë, por bazohet në historinë e vërtetë, që mund ta kundrojmë e ta prekim. Shtegtimi në vendet e Jezu Krishtit, duhet të na ndihmojë të ndjekim edhe rrugën e brendshme, që Ai na ka treguar:
“Kur shkojmë si shtegtarë në Tokën Shenjte, jemi edhe lajmëtarë të paqes, themi lutje për paqen; me ftesën për të gjithë, që të bëjnë në atë vend, i cili mban në emrin e vet fjalën “paqe”, gjithçka është e mundur për ta kthyer vërtet në vend të paqes”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.