(28.03.2010 RV)Sot, Kisha Katolike kremtoi të Dielën e Larit dhe të Mundimeve
të Krishtit. Procesioni me degë ulliri, dafina dhe palma na kujton hyrjen triumfale
të Jezusit në Jeruzalem. Por që ky triumf të mos na gënjejë për misterin e Krishtit
dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve, menjëherë pas procesionit, lexohet tregimi
i Mundimeve dhe Vdekjes së Shëlbuesit të botës. Po sot, u kremtua edhe Dita e 25-të
Botërore e Rinisë, në nivelin dioqezan.
Nesër, e hënë, 29 mars, dita
e parë e Javës së Madhe, meditojmë mbi faktin se Zoti është drita dhe shpëtimi ynë.
Dashurisë pa kufi të Marisë, që lyen këmbët e Jezusit me vaj të parfumuar e të shtrenjtë,
i kundërvihet meskiniteti i Judës, njeri që llogarit vetëm përfitimin e vet. Në të
Hënën e Madhe kremtohen edhe shën Gulielmi Tempier dhe shën Rudolfi.
Të
Martën e Madhe të përpiqemi të shpallim shpëtimin, që vjen nga Zoti. Parashikimi
që bën Jezusi, gjatë Darkës së Mbrame, na drejtohet edhe ne e të gjithë atyre që thonë
me zjarr Besojmën e fesë, por e realizojnë atë vetëm me fjalë e jo me jetën e përditshme.
Në këtë ditë festohen shën Sekondi, shën Leonard Murialdi dhe i Lumi Amedeo IX.
Më
31 mars, të Mërkurën e Madhe, i kërkojmë Zotit të na vijë në ndihmë. Jeta e
çdo njeriu lëviz ndërmjet dy poleve ekstreme. Duhet të vendosim nëse duam t’ia dorëzojmë
Jezusin vdekjes, ose t’ia dorëzojmë vetveten, ashtu si Krishti, Zotit dhe vëllezërve.
Këtë na mëson shën Beniamini, që kremtohet në këtë ditë.
Me të Enjten e
Madhe, më 1 prill, fillon Triditëshja e Pashkëve. Viti Meshtarak është atmosfera
ideale për të kremtuar meshën e Darkës së Mbrame. Të mbledhur përreth tryezës eukaristike,
ashtu si Apostujt në Çenakull, të përpiqemi ta jetojmë këtë mister me fe, mirënjohje
e vëllazërim të sinqertë. Përkujtojmë themelimin e Eukaristisë e të shërbimit meshtarak,
dy dhurata të çmuara të Zotit.
Më 2 prill, Të Premten e Madhe, gjunjëzohemi
para Kryqit, i cili është shenja se Zoti e do njeriun aq sa të japë jetën për të.
Përshkrimi që i bën Shën Gjoni Ungjilltar Mundimeve të Krishtit është dëshmia më e
madhe e dinjitetit të jetës njerëzore. Jezusi na tregoi se askush nuk e humb dinjitetin
para padrejtësisë, gënjeshtrës, poshtërimit, dhunës e urrejtjes. Sa e çmueshme është
jeta para syve të Zotit, nëse për ta mbrojtur lejoi ta kryqëzonin, si të ishte ndonjë
keqbërës!
Heshtja e Zotit, nata e lutjes në pritje të Ringjalljes së Krishtit,
përbëjnë të Shtunën e Madhe, 3 prill. U deshën fjalët e dy burrave të veshur
me të bardha për t’i dhënë të kuptojnë Marisë Magdalenë, Gjovanës e Marisë së Jakut
se Krishti ishte ngjallur. Mahnitja e tre grave duhet të na e hapë edhe ne zemrën
për të dëshmuar vërtetësinë e asaj ngjarjeje në botë.
Aleluja! Kjo është Dita
e Krishtit Zot! Të dielën, më 4 prill, kremtojmë Pashkët e Ringjalljes. Në
këtë ditë realizohen shpresat e njerëzimit. Ndërsa shkëmbejmë urimet, t’ì japim njëri-tjetrit,
sëbashku me dorën, edhe këtë siguri: “Krishti u ngjall, me të vërtetë u ngjall!”