2010-03-28 14:53:48

E Diela e Larit e të Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krishti


Fjala e Zotit e kësaj së diele që hap Javën e Madhe dhe të Shenjtë të Pashkëve na fton të gjithëve e posaçërisht rinjtë t’u kundërvihemi me guxim dhunës e gënjeshtrës e të mos kënaqemi me atë që mendojmë apo që bëjmë të gjithë, por të kërkojmë Zotin, të ndjekim Jezu Krishtin, Mbretin e paqes e të drejtësisë, që pësoi mundimet për shpëtimin tonë.
Me bekimin e palmave e gemav të ullinjve, Kisha na shpjegon se me këtë procesion e shoqërojmë turmën e dishepujve të cilët, plot gëzim festiv, ndjekin Zotin Jezus që hyn në Jeruzalem. E ashtu ai ata, e lavdërojmë me zë të lartë Zotin për të gjitha mrekullitë, që i kemi parë me sytë tonë e përjetuan në jetën tonë.
Po, edhe ne i kemi parë e vijojmë t’i shohim edhe sot e kësaj dite mrekullitë e Krishtit: shohim sesi ai frymëzon burra e gra të heqin dorë nga rehatia e jetës së tyre, për t’u vënë plotësisht në shërbim të njerëzve që vuajnë e që janë të persekutuar padrejtësisht; sesi Ai u jep guxim burrave e grave t’i kundërvihen dhunës e gënjeshtrës, për t’i bërë vend në botë së vërtetës; sesi Ai nxit burra e gra t’u bëjnë mirë të tjerëve fshehurazi e, pa kërkuar të duken, të çojnë pajtimin ku vret urrejtja, të frymëzojnë paqen, ku mbretëron armiqësia.
Në procesionin e Palmave shpallim besojmën tonë mbi pushtetin mbretëror të Krishtit, e njohim Jezusin si “Mbret të paqes e të drejtësisë”.
Ta njohësh si Mbret do të thotë: të pranosh se është Ai që tregon udhën, Ai në të cilin besojmë, Ai që e ndjekim. Do të thotë ta pranosh ditë për ditë fjalën e tij si kriter me vlerë për gjithë jetën tonë. Do të thotë të shikosh në Të pushtetin të cilit i nënshtrohemi plotësisht, sepse pushteti i Tij është pushtet i së vërtetës”.
Papa na nxit t’i themi edhe ne ‘po’ Krishtit e të rinisemi pas tij kudo që dëshiron të na çojë, duke ecur besimplotë në rrugën ku na prin. Po ç’do të thotë konkretisht ta ndjekësh Jezusin? Është fjala për një ndryshim të plotë të jetës tënde shpirtërore, gjë që kërkon shumë:
Kërkon që unë të mos mbyllem më në unin tim duke e konsideruar vetrealizimin si qëllimin kryesor të jetës. Kërkon që unë t’i dhurohem lirisht një Tjetri – vertetësisë, dashurisë, Zotit që, në Jezu Krishtin më prin e më tregon rrugën. Kërkon të mos i shikoj më dobinë e fitimin, karrierën e suksesin, si qëllimin e fundit të jetës sime, por të pranoj si kritere jetësore të vërtetën dhe dashurinë. Është fjala të zgjedhësh ndërmjet të jetuarit vetëm për vetveten dhe dhurimit të vetvetes për diçka shumë më të madhe. E duhet ta kemi mirë parasysh se e vërteta e dashuria nuk janë vlera abstrakte; në Jezu Krishtin u bënë vetje. Duke e ndjekur Atë, vihem në shërbim të vërtetësisë e të dashurisë. Duke e humbur e dhuruar vetveten për dashuri, e rigjej.
Në liturgjinë e së Dielës së Larit këndohet Psalmi 24, që këndohej edhe në Izrael. Kënga shoqëronte procesionin që ngjitej në malin e Tempullit. Ky Psalm përmes figurës së ngjitjes fizike, simbolizon ngjitjen shpirtërore e shpjegon ç’do të thotë të ngjitesh bashkë me Krishtin.
E ata që ngjiten e duan të arrijnë vërtetë lart, duhet të jenë njerëz që kërkojnë Zotin: Njerëz që vëzhgojnë rreth vetes për të kërkuar Zotin, për të parë Fytyrën e tij të vërtetë. Të dashur dëgjues, sa rëndësi të madhe ka kjo, pikërisht sot, për secilin prej nesh: të mos ia lejojmë vetes të luhatemi nga fryn era; të mos kënaqemi me atë që mendojnë, thonë e bëjnë të gjithë. Të hetojmë rreth vetes në kërkim të Zotit. Të mos lejojmë që në shpirtin tonë të zhduket dëshira për ta gjetur Zotin. Dëshira për Atë që është gjëja më e madhe. Dëshira për ta njohur Atë – fytyrën e Tij, zemrën e Tij...
Në se dëshiron vërtetë të ngjitesh – na kujton Psalmi - duhet të plotësosh një kusht: t’i kesh duart të pafajshme e zemrën, të pastërt:
Duar të pafajshme janë duart që nuk përdoren për akte dhune. Janë duart që nuk janë njollosur me korrupsion, me ryshfete, me favorizime, me abuzime të çfarëdo natyre. Zemër e pastër – po, kur është zemra e pastër? E pastër është zemra që nuk shtiret, që nuk e njollos vetveten me gënjeshtra e hipokrizi. Që mbetet e tejdukshme si uji i burimit, sepse nuk e di ç’do të thotë të jesh mësallë me dy faqe. E pastër është zemra që nuk dehet nga vetkënaqësia; zemra në të cilën dashuria është e vërtetë e jo pasion i çastit. Duar të pafajshme e zemër të pastër: në se ne ecim me Jezusin, pastrohemi e ngjitemi vërtetë në lartësinë për të cilën njeriu është paracaktuar: në lartësinë e miqësisë me vetë Zotin.
Në liturgjinë e vjetër të së Dielës së Larit meshtari, sapo arrinte para Kishës, trokiste fort me Kryqin e procesionit në portën ende të mbyllur, që pas kësaj trokitjeje, hapej… figurë kjo tejet e bukur për misterin e vetë Jezu Krishtit që, me drurin e Kryqit të vet, me forcën e dashurisë së vet që dhurohet, troket, nga ana e botës - në portën e Hyjit; nga ana e njerëzimit që nuk po e gjente më rrugën për të hyrë te Hyji Atë.
Me Kryq Jezusi hapi portën e Hyjit, portën ndërmjet Hyjit e njerëzve. Ajo tani është e hapur. Por Zoti troket me Kryq edhe nga ana tjetër: troket në portat e botës, në portat e zemrave tona, që tepër shpesh e shumica e tyre janë të mbyllura për Hyjin. E na flet pak a shumë kështu: “Në se provat që Zoti të jep në krijim për ekzistencën e tij nuk arrijnë të të bëjnë t’ia hapësh zemrën; në se e ndjek me indiferencë fjalën e Hyjit dhe mesazhin e Kishës, atëherë më shiko mua, Zotin që u mundua për ty, që vuan personalisht me ty – shiko se unë vuaj për dashurinë tënde e hapma zemrën, mua e Hyjit Atë”.
Na ndihmoftë Zoti t’ia hapim dyert e zemrave që kështu Ai, Zoti i gjallë, të mundet nëpër Birin e vet të arrijë në kohën tonë, të arrijë në jetën tonë e të shkëlqen me dritën e Tij Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.