2010-03-26 14:34:28

Çelësi i fjalëve të Kishës: shlyerja e mëkateve


(26.03.2010 RV)Të dashur dëgjues, kemi arritur në emisionin e dyzetepestë të rubrikës sonë, pikërisht në çastin kur Kisha Katolike përgatitet të kremtojë të Dielën e Larit dhe të Mundimeve të Jezu Krishtit. “Në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të”, predikon Shën Pjetri në shtëpinë e Kornelit, episod i treguar në Veprat e Apostujve (10,43). Përmes Krishtit pra, të gjithë shpresojmë të shlyejmë mëkatet. Por ç’do të thotë kjo fjalë: “shlyerja e mëkateve”. Pikërisht për këtë do të flasim sonte.

Në të gjitha fetë kremtohen rite për të fshirë fajet e besimtarëve nga shpirti i tyre, duke rivendosur kështu, lidhjet me hyjninë, ligji dhe vullneti i së cilës është dhunuar me mëkatin. Ky akt, i shoqëruar shpesh nga flijime, tradizionalisht quhet “shlyerja” dhe vjen nga folja latinishte “espiare”, që do të thotë “pastrim, riparim”. Ndërsa në hebraishten biblike kjo fjalë është “kapper” dhe përdoret gjerësisht në solemnitetin më të madh të shlyerjes së mëkateve, “Kippur”-i (shih Lev 16), që do të thotë “mbulim”. Me të vërtetë, mëkati “mbulohej”, pra fshihej, largohej nga sytë e Zotit, që rishikonte me mirësi popullin e vet.
Për të kuptuar funksionin e aktit shlyerës në Bibël, është themelore besëlidhja ndërmjet Zotit dhe popullit të vet. Ky i fundit është shpesh i pabesë gjatë historisë, duke prishur kështu lidhjen që e bashkon me Hyjin. Që këtej vjen nevoja e kthimit dhe e shlyerjes së mëkateve. Ajo shfaqet si me akte flijimi, që përcaktohen nga dy terma hebraike: “hatta’at” (flijim për mëkatin) dhe “’asham” (flijim riparimi). Përmes këtyre riteve, njerëzit pastroheshin nga mëkatet që i kishin larguar nga rruga e Zotit dhe kishin thyer besëlidhjen që bashkonte Izraelin me Hyjin e Gjithpushtetshëm.
Por nuk mjafton flijimi. Profetët ngulin këmbë në shndërrimin e zemrave dhe të jetës, sepse, siç thotë Psalmi 51, “flija e vërtetë për Hyjin është shpirti i penduar” (Ps 51,19). Në këtë linjë orientohet edhe këndvështrimi i krishterë mbi shlyerjen e mëkateve, që e ka pikënisjen në figurën e Krishtit, në vdekjen e tij si flijim dhe në ringjalljen e mëpasme. Falja e mëkateve nuk arrihet pra me një sërë ritesh për shlyerjen e tyre, por përmes dhurimit të vetvetes, që bën Krishti në Kryq. Do të sihte mirë të lexohej pjesa qendrore e Letrës drejtuar Hebrenjve (kap 5-10), ku Jezusi, meshtar i përsosur dhe i mëshirshëm, “i cili s’ka nevojë, sikurse ata, Kryepriftërinjtë e tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faej të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten” (7,27).
Kur kremton darkën e mbrame, Krishti thotë qartë duke ngritur kelkun e verës eukaristike se ky është “gjaku im – gjaku i Besëlidhjes – që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve” (Mt 26,28). Me këtë, Jezusi ripohon atë që kishte thënë gjatë misionit të tij publik: “Biri i njeriut erdhi të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë” (Mk 10,45). Ky akt i tejetlartë i shlyerjes së mëkateve të botës lind nga bindja e Tij para planit të drejtësisë e të dashurisë së Atit (në gjuhën biblike “drejtësia” hyjnore tregon shëlbimin): “Atë Hyji e caktoi të jetë, në sajë të fesë, fli pajtuese me anë të gjakut të vet. Deshi kështu të tregojë drejtësinë e vet” (Rm 3,25).
Shën Gjoni, në Letrën e tij të parë, do të përsërisë këtë me forcë: “Jezu Krishti, i Drejti është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës” (1 Gjn 2,2). Kjo bëhet për hir të dashurisë, e cila ngarkon mbi Birin e Hyjit peshën e fajeve tona, për të na çliruar prej tyre e për t’i fshirë përgjithmonë. Thotë shën Gjoni: “Dashuria përmbahet në këtë: Jo se në e kemi dashur Hyjin, por Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona” (4,10).







All the contents on this site are copyrighted ©.