2010-03-26 13:14:41

Vizita e Papës në Portugali


(26.01.2010 RV)Lisbona, Fatima dhe Porto janë tre qytetet e Portugalisë, që Papa Benedikti XVI do t’i vizitojë nga data 11 deri më 14 maj, gjatë Udhëtimit të tij Apostolik në vend. Salla e Shtypit e Vatikanit bëri të njohur programin e vizitës, e cila bie në 10-vjetorin e lumnimit të Jaçintës e të Françeskut, barinjve që folën me Zojën e Fatimës.
Nisja parashikohet më 11 maj, në orën 8.50, në aeroportin e Fiumiçinos në Romë. Në orën 11, Papa do të mbërrijë në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbona e, pas ceremonisë së mirëseardhjes, do t’i bëjë një vizitë atij që quhet “Monastero dos Jerònimos”, ndërtuar nga mbreti Manuel I për të festuar kthimin e Vasko De Gamës, pasi kishte zbuluar rrugën detare për në Indi. Aty është nënshkruar më 13 dhjetor 2007 Traktati i Lisbonës, që reformon institucionet e Bashkimit Evropian.
Ati i Shenjtë do të takohet me presidentin e Republikës, ndërsa pasdite do të kremtojë Meshën në sheshin Terreiro do Paço (Sheshi i Pallatit mbretëror) në Lisbonë. Të nesërmen në orën 10.00, Benedikti XVI do të takohet me botën e kulturës dhe me kryeministrin portugez, ndërsa pasdite do të shkojë në Fatima. Të shumta, aktivitetet e parashikuara në qytetin marian: në orën 17.30, Papa do të vizitojë Kapelën e Dukjeve të Zojës, pastaj, në orën 18.00, do të kremtojë Lutjen Mbrëmësore në kishën e Trinisë Shenjte, ndërsa në orën 21.30 do të bekojë qirinjtë e në Sheshin e Shenjtërores dhe do të thotë Rruzaren Shenjte, sëbashku me të pranishmit.
Më 13 maj, gjithnjë në sheshin e Shenjtërores, Benedikti XVI do të kremtojë meshën, ndërsa pasdite, do të takohet me organizatat kishtare e me ipeshkvijtë portugezë.
Më 14 maj, Papa do të shkojë me helikopter në qytetin e Portos, ku do të kremtojë meshën në sheshin e madh Avenida dos Aliados. Në orën 14.00, Ati i Shenjtë niset nga aeroporti i qytetit për t’u kthyer në Romë, ku do të mbërrijë në orën 18.00.








All the contents on this site are copyrighted ©.