2010-03-26 16:33:20

Evropa dhe FMN-ja shpëtojnë Greqinë


(26.03.2010 RV)Një rrjet mbrojtës për Greqinë me kredite të dyanshme dhe me financime të Fondit Monetar Ndërkombëtar: ky është rezultati i marrëveshjes së arritur mbrëmë në mbledhjen e krerëve të Bashkimit Evropian, ku u diskutua për krizën e rëndë ekonomike, që ka përfshirë vendin ballkanik.
16 shtetet anëtare të Eurozonës do të kontribuojnë në dhënien e kredive mbi bazën e vendimeve, që do të merren nga Komisioni Evropian dhe nga Banka Qendrore Evropiane, vetëm kur financimet në treg, të marra nga burime të tjera, të jenë të pamjaftueshme. Çdo financim do të ketë kushte shumë të rënda. Fondi Monetar Ndërkombëtar do të kontribuojë me një të tretën.
Rasti i Greqisë u shfrytëzua nga shtetet evropiane për të forcuar rolin e Këshillit Evropian për kontrollin ekonomik. Presidenti i Këshillit, Van Rompuy do të krijojë një grup pune, i cili, brenda vitit, do të propozojë mënyrat për forcimin e kontrollit kundër rreziqeve ekonomike dhe atyre të bilancit.
Sot, 27 krerët e shteteve e të qeverive të Bashkimit Evropian ranë dakord për strategjinë e zhvillimit në dhjetë vjetët e ardhshëm, por e shtynë për në qershor marrëveshjen mbi arsimin dhe luftën kundër varfërisë. Në qendër të vëmendjes edhe lufta kundër ndryshimeve të klimës, të shkaktuara nga njeriu.







All the contents on this site are copyrighted ©.