2010-03-25 15:43:33

SHBA-Izrael: pas atij me Obamën, dështon edhe takimi i Netanijahut me Miçëllin


(25.03.2010 RV)Pas takimit zhgënjyes me presidentin amerikan Obama, kryeministri izraelit Netanijahu foli edhe me të dërguarin e Administratës së SHBA-ve për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçëll, në përpjekjen për të zhbllokuar procesin e paqes. Dështoi plotësisht, për shkak të këmbënguljes për të vazhduar ndërtimet e shtëpive të kolonëve hebrenj në Jeruzalemin Lindor. Marrëdhëniet amerikano-izraelite, të cilat kanë qenë të ndërlikuara edhe më parë, rrezikojnë të keqësohen. Tel Avivi izolohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, megjithëse për ultranacionalistët brenda vendit, figura e Netanijahut forcohet, pasi nuk iu nënshtrua presioneve. Të dëgjojmë eksperten e Lindjes së Mesme, Marçela Emiliani, pedagoge në Universitetin e Bolonjës, në Itali:RealAudioMP3
Besoj se ky izolim është pa precedent, pasi të gjithë përfaqësuesit e Kuartetit për Lindjen e Mesme ngulin këmbë për bllokimin e ndërtimeve hebraike në Territoret palestineze, ashtu siç nuk bëhej prej dhjetëvjeçarësh. Nëse qeveria izraelite nuk lëviz nga qëndrimi vet, kjo do të thotë se e ka llogaritur politikisht se bashkësia ndërkombëtare nuk do të arrijë kurrë të zbatojë sanksione kundër Izraelit.







All the contents on this site are copyrighted ©.