Don Ndre Zadeja, martir i Krishtit në periudhën komuniste, në 65-vjetorin e pushkatimit
(25.03.2010 RV)65 vjet më parë u pushkatua dom Ndre Zadeja meshtar, poet e
atdhetar i flakët. Dom Ndre Zadeja lindi në Shkodër, më 3 nëntor 1891. Ndoqi shkollën
fillore dhe të mesme në Seminarin papnor shqiptar të Shkodrës. Teologjinë e kreu në
Innsbruck të Austrisë. Kremtoi një ndër meshët e para të tijat në Shqipëri në shenjtëroren
e Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër (rrëzë kalasë së Shkodrës). Shkroi shumë drama.
Qe sekretar i Arqipeshkëvit të Shkodrës dhe pastaj famullitar i famullive të ndryshme
të dioqezës. Ka qenë i pari meshtar që është pushkatuar në Shkodër nga komunistët,
që sapo kishin hyrë në pushtet, me 25 mars 1945. Akuza ishte se kishte ndihmuar në
mënyrë të fshehtë meshtarin dom Lazër Shantoja. Qe shkrimtar i mirë, meshtar i ndershëm
dhe i zellshëm – sidomos në mësimin e katekizmit, bari i butë e i devotshëm i famullive
që i qenë besuar.
Dom Ndre Zadeja është një nga të dyzetë martirët, për të
cilët vijon faza dioqezane e beatifikimit. Qe martiri i parë i furisë komuniste mbi
Kishën katolike në Shqipëri; urojmë të jetë ndër të parët të Lum, që do të ngjiten
në nderimet e elterit.
Dom Ndre Zadeja, klerik, dramaturg, poet e prozator,
lindi në Shkodër Më 3 nëntor 1891. Tri klasët e para të fillores i kreu në një shkollë
italiane. Nga klasa e katërt e më tej, studioi pranë Kolegjës Saveriane, drejtuar
nga jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916. Po në këtë vit
u shugurua prift. U kthye menjëherë në atdhe e pikërisht në vendlindje. Pati fatin
ta çonte Meshën e parë në kishën e Zojës bri kështjellës Rozafa, ku nderohej e nderohetedhe
sot, Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Ishte një ditë e bukur pranvere,
26 prill 1916.
Falë aftësive e kulturës së tij të gjërë, nisi shërbimin si
sekretar i Imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë
vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak në Bogë,
për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua në sa shërbente në këtë fshat
më 4 shkurt 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me disa seminaristë
e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllaun, një nga figurat më të
ndritura të Shkollës letrare të jezuitëve, Dom Lazër Shantojën, edhe ai në fazën dioqezane
të lumnimit.
Më 25 mars 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e parë
të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me gjithë shpirt për shërbimin
e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen
e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe "Ora e Shqypnisë", "Hijet e zeza";
"Rrethimi i Shkodrës", "Rozafa" etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve
në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk
mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist.
Në rrugët
e rrugicat e shtrembëra të Shkodrës, njëkohësiht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës,
që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave tona, për ta lënë vetëm në kërcej
të thatë traditën katolike, u ndje zëri i lebetitur: "Kanë grí Dom Ndrenë!".
E
tani, kur për emrin e tij flitet si për atë të një të lumi të ardhshëm, urojmë që
një ditë jo të largët, në rrugët e rrugicat e Shkodrës plakë, që pas më se një gjysëm
shekulli janë shtrembëruar edhe më keq se atë ditë kur plumbat i grabitnin një nga
bijtë më të mirë, të ndjehet një zë i hareshëm. "Po naltohet në eltér Dom Ndreu, martiri
që lau me gjak një tokë të martirizuar: atë të Shkodrës! Lutu për né!"Martirin e parë
të Kishës katolike shqiptare të katakombave po e përkujtojmë sot me tingujt e melodramës
"Rrethimi i Shkodrës" shkruar prej tij e muzikuar nga dom Mikel Koliqi. ***** Ndre
Zadeja (1891-1945) Kumbona e Sheldîs
Në qelën e Sheldîs gjindet nji kumbonë
e vjetër, por e plasun, e shkrîme në vjetin 1583, me këto germa: Z. B. TON. F. MCLXXXIII.
Ká nji stemë në të cillin shifet nji hyll a lule me tetë maje e dy bishta, si edhe
ftyrat e dy Shêjtnave. Tue ia lane studjuesave t’arkeologjís shvillimin e atyne
germave, po na kândet me pershkrue gojdhanen e kësajë kumbonë, rrumi i së cillës,
i shkurtuem prej nji magjypi në kohën e salvimit fetár prej anes së Vezirave, gjindet
endè sot në dorë t’onë, e provon vertetsín e asajë gojdhane. Në vjetin 1775 Vizitatorit
apostolik Emz. Gasprit, i rá në sy kjo kumbonë, e shkrou per tê se “mbi nji kishëz
vetmitare d.m.th. shêjtnore lerg banuesave, të ruejtun ende mjeft mire, ká pasë si
per mrekulli nji kumbonë nja 20 kg, tinglli fort të kandshëm.” Nji prift trim e i
kujtueshëm prej Sheldîje e pështoi prej duerve dhunuese të fanatikve. [...] Ishin
kohnat e Vezirit qi dhunoj hiri e pa hiri, streha shêjte e kuminare, çka
kjè besë e fé shqiptare... Me’m jetima, pa kumbonë Dyqind vjet s’ju ndi jehonë brunxit
shêjt, veç n’at Sheldî, kumboj lét per mrekullí... Prifti i vjetër, trim me
orë, çueka thirrsat n’Vjerdhasorë, (vjerdhasort’ miqt e Vezirit shkurtojn’
krena mbas dishirit). Na vên’ thirrsat doren n’parzem: “Jeni t’thirrun t’hanen
n’darzëm: Prifti i jon’ pá shkues, pá shkuese, t’hânen nade zblon ‘i nuse.” Ç’po
vlon pushka krep e n’krep, Priten desh e rrxohen sjep, vjami i deshvet dy gisht
trashë vlojn’ kazanat n’farken “Bashë”. Ka dal’ Prifti e po rri n’derë, Vjerdhasorve
po u bâ nderë, po u bâ nder’, po u rri në kambë, dý topanxhet nën dollamë. Dý
topanxhe, dy kumarë, kjén ’i nder’ per prift shqiptár! Ndezet kânga neper ajr, vjerdhasort’
i a bâjn’: “Per hajr!” Hahet, pihet, sofra çohet, nusja e priftit po e qet zân’: (kerset
pushka ân’ e m’ânë) dâng, e dâng... e n’vesh t’Vezirit. “Kush âsht aj qafir
qafirit (nuk kam t’ngim’ m’e pá n’çengel qi per báll aj sot mue më del? Disá
vjet, mâ s’kan kalue, njimí kish’ per tok’ jan’rrxue, Kaq guxim nji prift sot
pat Me at kumbon’ m’u çue lugat?” “Shqipëtar’ na jém si t’part, Vezir, priftin
mos e çart, s’çartet mik pá i çart kumarë, Njikshtû e ká kombi shqiptarë.” Foli
Vjerdha, pá ngurrue. Dyqind vjet na ké ushtue, dyqind vjet’ kumbon’ jehove, shoqet
n’dhé, ti m’kamb’ qindrove, vezirlíve u prishe gjumin, nji magjyp ta shkurtoj
rrumin... [...] D. Ndré Zadêja (prej melodramít kombtár “Ruba e kuqe”) Marrë
nga “Kumbona e s’Dielles”, Kallnduer 1938, nr. 1. (marre nga Albanova)