2010-03-24 18:58:34

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Katerinën e Suedisë.


(24.03.2010 RV)Shën Katerina është e dyta, ndërmjet tetë fëmijëve që i fali Zoti mistikes së njohur, Shën Brigjidës të Suedisë, bashkëpajtore e Evropës.
Lindi më 1331. U njoh me emrin Katerina Ulfsdoter, që do të thotë e bija e Ulfit, sepse i ati quhetj Ulf Gudmarson. U rrit pranë një nëne që ndikoi fuqimisht mbi jetën, historinë dhe letërsinë e vendit të vet. Por jeta e dy shenjtoreve, nënë e bijë, u lidh më shumë me Romën.
Katerina u martua fare e re me Edgar fon Kiren, fisnik nga familja edhe më fisnik nga shpirti, i cili jo vetëm e lejoi të ruante virtytin e krishterë të pastërtisë, por bëri edhe ai vetë të njëjtin kusht. Kur Shën Katerina arriti në Romë, ku ndodhej e ëma, për të kremtuar me të Vitin Shenjt, mori vesh se bashkëshorti kishte vdekur.
Që nga ky çast, nënë e bijë ecën në të njëjtën rrugë shenjtërie. Pas vdekjes së Nënës, Katerina hyri në kuvendin e Vadsenës, ku u zgjodh abateshë. U rikthye në Romë për lumnimin e Shën Brigjidës më 1391. Simbas traditës, me ndërmjetësinë e saj Roma shpëtoi nga një përmbytje e tmerrshme, që i kërcënohej. Ndërroi jetë më 24 mars 1381. Nuk është shpallur shenjte nga Kisha, por në vendin e saj njihet si e tillë. Kremtohet pikërisht ditën e mbërritjes në qiell, më 24 mars.







All the contents on this site are copyrighted ©.