2010-03-24 17:27:45

Imzot Tomazi: në rritje dhuna kundër pakicave fetare, të krishterët janë më të dëmtuarit


(24.03.2010 RV)Mbrotja e së drejtës për të pasur liri fetare është veçanërisht e rëndësishme, pasi vlerat fetare janë urë për të gjitha të drejtat e njeriut. Kështu pohoi dje Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në zyrën e OKB-së në Gjenevë, kryeipeshkvi Silvano Tomazi. Prelati theksoi se zbatimi i kësaj së drejte pengohet sot nga paragjykimet, diskriminimet e dhuna. Në shumë vende, pakicat fetare janë viktima të sulmeve tragjike, si për shembull, në Pakistan, ku një i krishterë u dogj i gjallë, pasi refuzoi të kthehej në fenë islame. Por, si mund ta mbrojmë lirinë e fesë? Pyetëm vetë imzot Tomazin:
Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për ta trajtuar këtë çështje sistematikisht. Ndërmjet parimeve të mëdha që shpallen, për shembull në Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, dhe praktikës së përditshme në shumë vende, ka një boshllëk të madh. Duhet të rinovojmë vullnetin politik për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve e kjo bëhet përmes edukimit. Në shkolla nuk duhet të ketë tekste, apo doracakë që mbështesin qëndrime fondamentaliste, ose nxisin urrejtjen për fetë e tjera. Kjo bëhet përmes arsimit publik, por edhe përmes mjeteve të komunikimit, duke krijuar atmosferën e pranimit të ndërsjelltë dhe të kërkimit të përbashkët të së vërtetës.
Cili është ndryshimi ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, në konceptimin e këtij problemi?
Ka një ndarje të qartë, sidomos ndërmjet vendeve perëndimore dhe atyre me shumicë islamike. Në botën perëndimore, vihet theksi mbi personin si burim të drejtash, ndërsa kultura e Lindjes së Mesme i jep më tepër rëndësi bashkësisë. Por, në këtë rast, rrezikohet diskriminimi i pakicave. Nëse grupi mbizotërues i ka të gjitha të drejtat për të mbrojtur qëndrimet e veta ideologjike dhe fetare, pakicat diskriminohen, ose nënshtrohen. Prandaj, duhet të pohojmë të drejtën e personit për liri fetare e, njëkohësisht, të kemi parasysh se personat kanë të drejtë edhe të lidhin marrëdhënie me të tjerët e të krijojnë kështu bashkësi. Në këtë moment, më të diskriminuarit janë të krishterët. E nuk është çështje karikaturash apo artikujsh me shpifje, por është çështje për jetë a vdekje.
Në Perëndim vërejmë edhe një fenomen tjetër alarmues: përqeshja e fesë…
Feja shihet si diçka e tejkaluar, si bllokim për zhvillimin dhe përparimin shkencor. Shumë funksionarë publikë, nganjëherë edhe në Bashkimin Evropian, apo grupe e rryma të ndryshme mendimi e shohin fenë si pengesë për modernizimin. Kjo bën që të diskriminohet shumica besimtare e popullsisë. Më duket se kultura publike perëndimore, e cila e bën qesharake fenë, nuk i shërben vetvetes, por krijon probleme për të ardhmen. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.