2010-03-24 17:28:05

Denoncimi i kardinalit Sandri: Perëndimi indiferent para diskriminimit të të krishterëve në Lindjen e Mesme


(24.03.2010 RV)Të krishterët në Tokën Shenjte dhe në Lindjen e Mesme pësojnë diskriminime të rënda, por Perëndimi është krejtësisht indiferent. Ky është denoncimi i prefektit të Kongregatës për Kishat Lindore, kardinal Leonardo Sandri, në prag të Pashkëve. Ta dëgjojmë vetë prelatin në mikrofonin tonë:

Nuk mund ta jetojmë me indiferencë dramën e vëllezërve tanë të krishterë, të cilët detyrohen të largohen nga vendi për të gjetur kushte më të mira, paqe e qetësi për vete e për fëmijët e tyre. Ata kanë të drejtë të vazhdojnë të jetojnë në atdheun e lindjes. Aty kanë të gjitha kujtimet fizike, gjeografike të kalimit të Jezusit të Nazaretit mes nesh, të Birit të Zotit që u bë njeri për shëlbimin tonë. Nuk duhet të jemi indiferentë, duhet të përpiqemi me të gjitha forcat t’i mbështesim këta vëllezër. Çdo vit grumbullohen fonde, sidomos të Premten e Madhe, por kjo mund të bëhet edhe në ditë të tjera. E rëndësishme është që të mos mbetemi indiferentë si leviti ose si prifti, kur gjetën rrugës njeriun e rrahur nga hajdutët. Ai që e ndihmoi më shumë nuk ishte hebre. Të mos na kalojë para syve drama e Lindjes së Mesme, pa zgjuar brenda nesh një përgjigje bujare e të ndjeshme, pasi është përgjigjia që i japim Jezu Krishtit.

 
Flisni për indiferencë një vit pas udhëtimit të Papës në Tokën Shenjte. Thirrjet e tij të shumta për paqen duket se nuk janë dëgjuar…

Së pari, dua të them se çdo vit vërejmë një bujari të madhe nga ana e të gjitha Kishave. Prandaj, dua të falenderoj për të gjitha fondet e grumbulluara deri tani. Edhe këtë vit, shuma e mbledhur të Premten e Madhe për Tokën Shenjte do të kontribuojë në jetën e bashkësive katolike e madje, do të jetë e rëndësishme edhe për jo katolikët, pasi ne ndihmojmë spitalet, shkollat, universitetet. Aspirata më e lartë është që Jeruzalemi të bëhet vërtet qytet i paqes. Thirrjet e Papës janë të shumta e plot pasion: uroj që jo vetëm të admirohen, por t’u jepet përgjigjja përmes impenjimit për paqen e për pajtimin e të gjitha këtyre kombeve.

 
Tetorin e ardhshëm do të mblidhet në Vatikan, Sinodi për Lindjen e Mesme. A ka shpresa që ai ta sensibilizojë bashkësinë ndërkombëtare për dramën që jetojnë të krishterët dhe popujt e rajonit?

Po, sigurisht, besoj se do të jetë rasti i volitshëm për ta përqendruar vëmendjen e Kishës në këtë zonë, pa tjetër. Uroj që ky Sinod të japë direktiva për jetën e Kishës, sidomos të bazuara mbi temën e caktuar nga vetë Papa: “Bashkim e dëshmi”. Nëse ne jetojmë në bashkim me Krishtin dhe e dëshmojmë me koherencë çdo ditë, shndërrojmë botën, megjithëse jemi një grigjë e vogël. Forca e Zotit vepron përmes identifikimit që kemi me Jezusin e kjo është puna e parë që duhet të bëjnë Kishat tona, në mënyrë që Sinodi të sjellë vërtet zhvillimin e jetës së krishterë në Lindjen e Mesme. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.