2010-03-23 15:30:44

U publikua programi i kremtimeve të Javës së Madhe, që do të kryesohen nga Papa. Lëmoshët e së Enjtes së Madhe - për rindërtimin e Seminarit të Port-o-Prëns në Haiti.


(23..03.2010 RV)Me Javën e Shenjtë ose Javën e Madhe, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë, përfundojnë Krezhmët e hyjmë në kremtimet e Pashkëve. Zyra e Kremtimeve liturgjike publikoi programin e kremtimeve, që do të kryesohen nga Ati i Shenjtë.
Do të nisin të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit, më 28 marsin e ardhshëm, e do të arrijnë kulmin me Triditshën e Pashkëve, qendër e gjithë vitit liturgjik.
Benedikti XVI do t’i kryesojë të gjitha ritet e Javës së Madhe, duke filluar nga 28 marsi i ardhshëm, me Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit për të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit. Kjo datë përkon me Ditën e 25-të Botërore të Rinisë. Para se të fillojë proçesioni eukaristik, Ati i Shenjtë do të bekojë larin, palmat e degët e ullinjve, ndërsa në përfundim të proçesionit, do të kremtojë Meshën Shenjte të Mundimeve të Krishtit, në Sheshin e Shën Pjetrit.
Të Enjten e Madhe, më 1 prill, duke nisur nga ora 9. 30, Shenjtëria e Tij do të kryesojë Meshën e Bagmit në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit do të bekohet vaji i katekumenëve dhe i të sëmurëve. Bashkëkremtimi i Papës me kardinajtë, ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm në Romë do të jetë simbol i bashkimit të ngushtë ndërmjet Kryebariut të Kishës universale dhe sivëllezërve të tij në meshtari.
Triditshja e Mundimeve dhe e Ngjalljes së Zotit, ‘kulm i gjithë vitit liturgjik’ do të fillojë të enjten, më 1 prill, me Meshën e Darkës së Fundit të Krishtit, që Papa do ta kremtojë duke nisur nga ora 17. 30 në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Benedikti XVI do t’u lajë këmbët 12 meshtarëve. Gjatë ritit, të pranishmëve do t’u drejtohet ftesa për të bërë një akt bamirësie si ndihmë për ndërtimin e seminarit të Port-o-Prëns në Haiti. Shuma që do të mblidhet do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë në çastin e paraqitjes së dhuratave.
Të Premten e Madhe, më 2 prill, në orën 17. 00, Shenjtëria e Tij do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me ritin e Adhurimit të Kryqit e pastaj, në mbrëmje, në orën 21.00, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum, në përfundim të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do të japë bekimin e tij apostolik. Sivjet Meditimet e Udhës së Kryqit janë përgatitur nga Kardinali Kamilo Ruini.
Të Shtunën e Madhe, me 3 prill, në orën 21. 00 Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit. Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet si ‘Nëna e të gjitha netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar duke pritur Ngjalljen e Zotit me kremtimin e Sakramenteve fillestare të jetës së krishterë. Kremtimi do të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës, pasuar nga Mesha shenjte e kryesuar nga Benedikti XVI.
Të Dielën, më 4 prill, Solemniteti i Pashkëve, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në Sheshin e Shën Pjetrit e më pas, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’.







All the contents on this site are copyrighted ©.