2010-03-22 17:14:04

Deputetët amerikanë votojnë pro reformës së shëndetësisë të presidentit Obama


(22.03.2010 RV)Barak Obama fitoi betejën e tij më të rëndësishme. Pas një marrëveshjeje në minutin e fundit për abortin, presidenti amerikan mori votat e Dhomës së Deputetëve për reformën e shëndetësisë. Projekt ky, që Obama po e diskuton prej një viti, mes debatesh e polemikash pa fund.
Një fitore historike, siç e quajti vetë Obama, që u ka ikur nga duart për gati një shekull paraardhësve të tij e që duhet të sjellë mbulimin e krejt SHBA-ve me sigurimet shëndetësore, megjithëse jo falas. Ligji u miratua me votat e demokratëve, vetëm pasi presidenti premtoi një dekret, me të cilin ndalohet përdorimi i fondeve publike për kryerjen e abortit. Republikanët votuan gjithsesi kundër. Sigurimi shëndetësor për personat, që nuk kanë mundësi ta paguajnë, do të plotësohet nga shteti. Brenda vitit 2014, 32 milion amerikanë do të përfitojnë nga kjo reformë. Të dëgjojmë opinionin e ekspertit të çështjeve amerikane për gazetën italiane “La Stampa”, Paolo Mastrolili:RealAudioMP3
Është një rezultat shumë i rëndësishëm, sidomos u jep garanci amerikanëve kundër abuzimeve të kompanive të sigurimit. Por tani, duhet parë se ç’mendojnë zgjedhësit, që në vjeshtë do të votojnë për administrativet, rezultati i të cilave do të varet jashtëzakonisht nga ky ligj.
Plani i Obamës u shpëtua nga demokratët, pas marrëveshjes mbi abortin…
Natyrisht kjo mbetet çështje e hapur, sepse premtimi i presidentit Obama për të miratuar një dekret, pra një urdhër ekzekutiv, që të shmangë përdorimin e fondeve federale për abortin, nuk i bindi të gjithë, edhe brenda partisë së tij. Do të shohim tani nëse do të mbahen parasysh rezervat që patën shprehur edhe ipeshkvijtë amerikanë, apo problemi do të mbetet i hapur. Me siguri, kjo pikë do të vazhdojë të jetë një element debati në shoqërinë amerikane.
Efektet e reformës do të shihen në afate pak a shumë të gjata. Si mendoni, është kjo arsyeja që presidenti Obama nguli këmbë në përballimin e kësaj betejei, kur ajo e penalizon, për të vjelur frytet në të ardhmen, kur rezultatet do të fillojnë të duken?
Problemi është se amerikanët, në këtë moment, vuajnë sidomos nga kriza ekonomike dhe nga papunësia, që e kalon 10%-shin. Sipas disa llogarive, kjo reformë do të kushtojë mëse 900 miliard dollarë. Duhet parë nëse përfitimet në fushën e shëndetësisë - që kanë të bëjnë sidomos me ata 32 milion amerikanë, që tani do të kenë sigurim shëndetësor - do të kompensojnë kostot shoqërore dhe ekonomike, pasi do të rriten taksat. Gjithashtu, duhet parë nëse do të jetë më i madh avantazhi që do të kenë amerikanët nga zotërimi i sigurimit shëndetësor, apo dizavantazhi, pra pesha që do të ndjejnë ekonomikisht në një situatë krize financiare. Fati politik i presidentit Obama varet nga cila anë do të rëndojë peshorja.







All the contents on this site are copyrighted ©.