2010-03-20 10:48:26

Shenjtorët e javës 21 mars – 28 mars 2010


(21.03.2010 RV)Sot, më 21 mars, dita e parë e pranverës, Kisha Katolike kremton të Dielën e pestë të Krezhmëve. Po sot, kremtohet edhe Shën Gjon Nepomuçeni, që na kujton se Jezusi është gjithnjë i gatshëm ta ndihmojë secilin prej nesh.
Liturgjia e Fjalës së Zotit, që do të ndjekim të hënën, më 22 mars, në festën e Shën Leas, vejushë romake dhe të Shën Palit, ipeshkëv i Narbonës, na kujton se të kesh fe, do të thotë t’i besosh Zotit e të lëshohesh plotësisht në dorë të tij, edhe në çastet e rënda të provës, ashtu si bëri Moisiu. Duhet ta dimë mirë se e keqja nuk na vjen kurrë nga Zoti, madje ai na rri gjithnjë pranë e nuk na braktis kurrë.
Më 23 mars, ditën e martë, kujtohet Shën Turibi i Mogrovejos, ipeshkëv i Limës e Shën Rebeka. Ata na sjellin ndërmend se në këtë shtegtim krezhmor duhet të ndalohemi dhe një herë e të meditojmë mbi Jezusin e mbi veprat që kreu, për t’i besuar kështu me gjithë zemër e për t’i lartuar lutjen: “Dëgjoje, o Zot, britmën e njeriut të varfër, që të lutet!”.
Shën Katerina e Suedisë, virgjër, e bija e Shën Brigjidës, që do të festohet të mërkurën, na kujton se të ndjekësh Krishtin nuk është aspak punë e lehtë: mund të shkaktojë vuajtje të padurueshme, si ato të Jeremisë profet, të cilat na i kujton liturgjia e festës.
Të enjten, më 25 mars është festa e Lajmërimit të Zotit. Solemniteti na kujton përgjigjen që i dha Virgjëra Mari Kryeengjëllit Gabriel: “Qe shërbëtorja e Tënzot, u bëftë mbi mua si është fjala jote”. Po atë ditë përkujtohen edhe Shën Hajduti i Mirë, Shën Kuirini martir e Shën Luçia Filipini, virgjër, themeluese e mësueseve të përshpirtshme Filipini, prej vitesh me mision në Shqipëri, sidomos në Berat.
Të nesërmen, e premte, 26 mars festohet shën Teodori e shën Kastuli, martir. Na kujtojnë se feja në Krishtin na bën të lirë, e megjithatë shpesh herë vazhdojmë të jemi skllevër të bestytnisë e të egoizmit.
Liturgjia e festës së Shën Rupertit, të shtunën e ardhshme, na kujton se edhe ne nganjëherë ndjehemi të lodhur e të shkurajuar, si populli hebraik në shktetëtirë, sepse kemi pak besim në shpëtimin që vjen nga Zoti në Jezu Krishtin.
Të dielën, më 28 mars është e Diela e Larit dhe e Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht, me të cilën fillon Java e Madhe e Pashkëve. Kremtohen edhe Shën Kastori e Shën Linda, martirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.