(21.03.2010 RV)Është në librari tashmë libri mbi takimin ndërkombëtar “Zoti
sot: me Të, ose pa Të, ndryshon gjithçka”, që u zhvillua në Romë në dhjetorin e vitit
të kaluar nga Komiteti për Projektin kulturor të Konferencës Ipeshkvnore Italiane.
Në libër përmblidhen ngjarjet më të rëndësishme të atij kuvendi, për frytet e të cilit
flet në mikrofonin tonë kryetari i Komitetit, kardinali Kamilo Ruini: Fryti
ishte pa dyshim vendosja e temës së Zotit në qendër të vëmendjes, si temë thelbësore
dhe e pashmangshme. Pastaj, frytet e tjera do të shihen me kohë, siç është për shembull
fakti që libri mbi takimin u shit menjëherë, sapo doli nga botimi. Po shtypim kopje
të tjera. Cilat kanë qenë reagimet mbi diskutimet që u bënë, sidomos përsa
i përket vendosjes së Zotit në qendër të kulturës bashkëkohore? Mendoj se duhet
të ngulim këmbë në këtë tematikë për t’u treguar të gjithëve sa e rëndësishme është
kjo temë, që ka tri aspekte. I pari është i qartë dhe vë theksin mbi ekzistencën e
Zotit, pra përpiqet të ofrojë motivet për të cilat ne besojmë në Hyjin. I dyti ka
të bëjë me rëndësinë që Zoti ka për ne, për të tashmen dhe për të ardhmen, për jetën
tokësore dhe për jetën e amshuar: me Të, ose pa të, gjithçka ndryshon. Dhe, aspekti
i tretë, për të cilin ndoshta flitet më pak, është se duhet vërtet ta njohim Zotin
e arsyeja njerëzore – sigurisht – mund të na japë disa koordinata për faktin se Zoti
ekziston, si para, ashtu edhe pas kësaj bote. Por për të hyrë më në thellësi në jetën
e Zotit, e sidomos në misterin e Tij e në mënyrën si sillet me ne, nuk mjafton arsyeja.
Flitet me të drejtë mbi faktin se Jezusi na ka mësuar ta duam Zotin mbi çdo gjë, dhe
ta duam të afërmin si vetveten. Por më parë, Jezusi na e dëshmoi – pra jo vetëm na
mësoi, por na dëshmoi – me jetën e vet se Zoti na do, se Zoti është miku ynë e, siç
thotë shpesh Benedikti XVI, Zoti është mik i njeriut: atë dhe mik. Pavarësisht nga
përvoja kontradiktore njerëzore, mbetet ky fakt i pamohueshëm se Zoti na do, se dëshiron
të mirën tonë dhe se di të nxjerrë të mirën nga e keqja. Sipas jush, si ka
ndryshuar në kohën tonë besimi i njerëzve për Zotin? Prej shumë vitesh tashmë,
ka ndryshime të mëdha. Të besosh në Zotin, ose të mos besosh në Zotin janë dy mundësi,
dy vendime, që i kemi njëkohësisht para nesh. Në këtë kuptim, besimi në Zot është
bërë një vendim më personal, më i lirë, por edhe më impenjativ. Kjo sjell ndryshime
në baritorinë e Kishës, e cila duhet të jetë më misionare. Ky është kuptimi i thellë
i ungjillëzimit të ri, për të cilin fliste Gjon Pali II dhe i shqetësimit të vazhdueshëm
për praninë e Zotit në botë, siç përmend gjithnjë Benedikti XVI, i cili thotë se çështja
e Zotit është sot çështje qendrore. Prandaj impenjimi i Kishës në Perëndim, pasi pikërisht
në Perëndim është krijuar kjo sfidë e re, është t’u japë njerëzve të gjitha motivacionet
për të kuptuar e pranuar fenë në Zotin. Këto motivacione janë racionale, por edhe
shpirtërore e rrjedhin nga dëshmia e jetës.