2010-03-19 17:03:51

Kuarteti i Lindjes së Mesme: ndal kolonive izraelite e paqe brenda 2 vjetësh


(19.03.2010 RV)Të ndalen ngulimet hebraike në Çisjordani e të arrihet paqja ndërmjet izraelitëve e palestinezëve brenda dy vjetësh. Kuarteti për Lindjen e Mesme përcakton kështu harkun kohor të bisedimeve, të cilit i përgjigjet me entuziazëm Ramallahu, por jo edhe ministri i jashtëm izraelit, Avigdor Liberman. Ishte Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun ai që lexoi sot deklaratën e Kuartetit, i cili del sërish në dritë pas diskutimeve të shumta politike e diplomatike.
SHBA-të, Rusia, OKB-ja e Bashkimi Evropian kërkojnë që qeveria e Tel Avivit të ndalë urgjentisht ndërtimin e shtëpive në të gjitha ngulimet hebraike, edhe ato ndërtime që konsiderohen nga kryeministri Netanijahu si rritje natyrore. Gjithashtu, Izraeli duhet të tërhiqet nga pozicionet e zëna në mars 2001 dhe të bëjë hapa mbrapa në vendimet për shkatërrimin e shtëpive e largimin e palestinezëve nga Jeruzalemi. Dy vjet: kjo është koha brenda së cilës duhet t’i jepet fund pushtimit izraelit të filluar në vitin 1967 dhe të krijohet një shtet palestinez i pavaruar e demokratik, përkrah Izraelit.







All the contents on this site are copyrighted ©.