2010-03-19 15:47:41

Kisha Katolike dhe personat me të meta fizike


(19.03.2010 RV)“Personat me të meta fizike përballë sfidës edukative. Impenjimi tradicional i Kishës dhe problemet aktuale”: kjo ishte tema e kuvendit, organizuar para pak ditësh në Romë nga sektori i katekizmit për personat me të meta fizike në Konferencën Ipeshkvnore Italiane. Pikërisht për marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe këtij realiteti, folëm me drejtorin e Zyrës italiane katekistike kombëtare, don Guido Benzi:
Dua të nënvizoj se tema e personave me të meta fizike, brenda baritorisë së Kishës, shihet jo vetëm nën aspektin e shëndetit e të shëndetësisë, por nën aspektin e dëshmisë. Në zyrat katekistike dioqezane ekziston një sektor që merret pikërisht me rrugën që bëjnë në fe persona të tillë. Besoj se kjo është një shenjë shumë e bukur, pasi vlerëson kontributin që japin personat me të meta fizike në jetën e bashkësive të krishtera. Kemi një kujdes të veçantë sidomos për fëmijët, të cilët mund të marrin kështu sakramentet e krishtera e të integrohen në bashkësi. Po kështu edhe për të rriturit. Njëkohësisht me impenjimin, ndihet edhe aspekti i dhuratës, në kuptimin që një person me të meta fizike është vërtet dëshmitar i Ungjillit në bashkësinë e krishterë.
Një nga bashkësitë më të njohura që merren me shoqërimin dhe kujdesin për personat me të meta fizike është ajo e Shën Egjidit, e mirënjohur edhe në Shqipëri. Të dëgjojmë përgjegjësin e Lëvizjes së Miqve të këtyre personave, për bashkësinë, Stefano Kaparuçi:
Në fund të fundit, në brishtësinë e personave me të meta fizike, shohim se si dobësia mund të shprehë një forcë të jashtëzakonshme. Është forca e dashurisë, që na bën të aftë për ndjenja miqësie e për gjeste solidariteti. Sëbashku me ta, ne kemi zbuluar urtinë e madhe ungjillore që është të dish si të ndihmosh të tjerët. Jo vetëm në liturgjitë e së dielës, miqtë tanë me të meta fizike luten sidomos për të tjerët, por luten edhe për problemet shoqërore: për të dënuarit me vdekje, për viktimat e tërmetit, luten shumë për Afrikën. E kjo është një dëshmi e madhe, është t’u kthet atyre mundësia për ta jetuar plotësisht Ungjillin, pra, jo vetëm të ndihmohen, por edhe të ndihmojnë, edhe sikur të jetë vetëm një gotë ujë që i japin tjetrit. Është vlera shpërblyese e bamirësisë për ta e për të tjerët.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.