(19.3.2010 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 19 mars kujtojmë figurën
e ipeshkvit martir, imzot Vinçenc Prennushit, në përvjetorin e vdekjes. Nuk është
e lehtë ta përmbledhësh me pak rreshta jetën aq të pasur të imzot Vinçenc Prennushit. Lindi
në Shkodër më 4 shtator 1885. U Pagëzua me emrin Kolë, Shepjti ndjeu thirrjen e Zotit
për jetën rregulltare. Hyr në kuvendin françeskan të vendlindjes më 1900; u shugurua
meshtar në Tirol të Austrisë, ku kryente studimet, duke e ndërruar emrin në Vinçenc. Nisi
të botonte rreth 1909-1910-tës. Më 1911 botoi “Kangë popullore gegnishte”; më 1918
fletpalosjen liturgjike “Fjala e Zotit”; “Java e Madhe”, libër feje, për javën para
Pashkve. më pas dramat “E trathuemja” e “Prej robnie në liri”; studimin “Nder lamije
të demokracisë së vërtetë” (1922). Kryeveprën poetike “Gjeth e Lule” e botoi më 1924,
për të vijuar me veprat agjiografike “Shën Françesku i Asizit” dhe “Jeta e Shna Ndout
prej Padue” (1913) ; “N’Agape”, vjershë (1926); “Vorri i fratit”, 1717-1918. Dy fjalë
mbi jetën e A. Anton Soranit, dëshmitar feje françeskan (1918); Ndër përkthimet
e imzot Vinçenc Prennushit kujtojmë: “Quo Vadis” të novelistit polak, Henryk Sienkiewiz;
“Burgjet e mia” të italianit Silvio Pellico, poemën “Dreizehnlinden” të gjermanit
Friedrich Wilhelm Weber, nga e cila “Hylli i Dritës” u botuan te vetëm tri këngë.
Këtu këputet veprimtaria e mbyllet, për të përfunduar kush e di se ku, arkivi i tij
jashtëzakonisht i pasur. Imzot Vinçenc Prennushi, njihet si këngëtar i ëmbëlsisë
dhe i trishtimit. Ndër poezitë e tij, kumbon një jehonë e këndshme dhe një ushtimë
e trishtë, ashtu siç këndon atdheun me bukuritë e tij, po kështu edhe kur vargëton
misteret e besimit. Në poezinë e Prennushit, bota lëndore vështrohet si një ndër arsyet
e shkatërrimit të njeriut, për shkak të paaftësisë për t’u vetëpërmbajtur dhe të lakmive
të pangopura vetjake. Shkruan At Justin Rrota: “E n’atë mënyrë qi At Fishta mund
të thirret për kah trajta e gjuhës poeti i Gegnìs, pse dijti me i a vjedhë
popullit të malit e të fushës bukurìt mà të pikaturat e të shprehunit, kështu Prennushi
mund të mbahet si poeti i qytetit të vet, mbassi gjithshka gjeti të hijshëm
në fjalë e në frazeologji të këtij dialekti e mblodhi si bleta dhe e vendoi me shije
të madhe ndër shkrimet e veta”. Më 1947 imzot Vinçenc Prennushi u arrestua nga
komunistët në Tiranë e më pas u nis për në Burgun e Durrësit, ku edhe vdiq më 19 mars
1949 në një natë të errët e të acartë, duke kërkuar “më shumë dritë e duke mbrojtur
deri në frymën e fundit, vlerat, idealet e bindjet e veta. Shkruan mes tjerash Arshi
Pipa, që ia mbylli sytë e vdekur “...asht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me
trupin, kur vërejmë qysh njerëzit vdesin për ideale”. Procesi i beatifikimit të
imzot Vinçenc Prennushit dhe 39 martirëve të tjerë shqiptarë ka filluar më 9 nëntor
të vitit 2002 në Kishën katedrale të Shkodrës, në pranin e kardinalit Sepe, aso kohe
prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve.