2010-03-19 18:05:39

Historia e Bazilikës Ostiense përmes monedhave të rigjetura pranë varrit të Shën Palit.


(19.03.2010 RV)Janë një gjurmë e thellë për historinë e Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve të Romës, monedhat që lanë si lëmoshë shtegtarët gjatë shekujve, pranë varrit të Apostullit të Popujve. Disa prej tyre i përkasin kohës para martirizimit, të tjerat, periudhës së mëpasme. Ndërmjet tyre ka para të prera nga qytetet e ndryshme italiane, por edhe monedha të vendeve të tjera të Evropës perëndimore, madje edhe lëmoshë të falura nga shtegtarët meksikanë, prodhuar në Meksikën e largët.
Është një thesar i vërtetë devocional, i gjetur gjatë gërmimeve, i mbledhur e i ruajur nga murgjërit benediktinë të abacisë aty pranë. Gjatë Vitit kushtuar Shën Palit, thesari (në kuptimin fetar të fjalës) u studiua nga specialisti i shquar, profesor Xhankarlo Alteri, drejtor i Departamentit të Numizmatikës dhe Kujdestar i medaljeve të Bibliotekës së Vatikanit. Fryt i këtij studimi është një vëllim i posa shtypur, që meriton të shfletohet. Do të paraqitet të premten e ardhshme, më 26 mars.
Përmes disa qindra monedhave të zgjedhura, pasi kaloi nëpër duar gjithë trashëgiminë e medaljeve papnore, duke u ndaluar posaçërisht tek monedhat arkitektonike, të cilat lidhen me Bazilikën, sidomos me zjarrin, që e shkatërroi në vitin 1823 e me rindërtmin e saj, si dhe tek monedhat e murosura në Portën Shenjte të Bazilikës, në përfundim të viteve jubilare, profesor Alteri arriti të rihartojë një histori vërtetë interesante, me aspekte pak e aspak të njohura.
Për Kardinalin Andrea di Montexemolo, Kryeprift i Bazilikës, një numër kaq i madh monedhash, të lëna për devocion në një zonë të caktuar nga shtegtarët e mbarë botës e menjëherë pas martirizmit të Shën Palit, do të duhej të kontribuonte, së bashku me të gjitha provat, edhe ato të kohëve të fundit, për ta pakësuar në kulm ose për ta zhdukur fare çdo dyshim për praninë e relikeve të Apostullit nën elterin papnor.
Abati i Shën Palit jashtë Mureve të Romës, benediktini Atë Edmund Power, pohon se duke lexuar librin e ri, vërejmë fenë e fortë e plot shpresë, për të cilën na flasin monedhat me gjuhën e tyre të heshtur, por tejet të kuptueshme. Këto para të nxjerra nga dheu, na kujtojnë duar e fytyra, që e lanë këtë jetë prej shekujsh e që, gjatë shtegtimit të tyre, ndoshta edhe me flijime të mëdha, ia dhuruan monedhat Apostullit të zjarrtë të Krishtit të Ngjallur, që i rrëmbeu, si me jetën, ashtu edhe me martirizimin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.