2010-03-18 15:56:50

Patriku Tval të krishterëve: mbillni paqe e shpresë në Tokën Shenjte


(18.03.2010 RV)Çdo pushtim bën që të lindin ndjenja urrejtjeje. Pushtuesi humb ndjenjën e respektit për dinjitetin e tjetrit, ndërsa tek i pushtuari rritet ndjenja e refuzimit, e mllefit dhe e kundërshtimit. Me këto fjalë, Patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tval komentoi përleshjet e fundit në Tokën Shenjte, në një seminar në katedralen e Gjenovës në Itali, ku u fol mbi gjendjen e Kishës në vendet e Jezusit, pas vizitës së Benediktit XVI. Toka e Shenjtë – tha Patriku – ka nevojë për fara shprese e paqeje që të bëjë hapa konkrete drejt pajtimit. Por ka njerëz, që ndjekin objektiva krejtësisht të kundërta, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie. Të krishterëve të Izraelit, shumica e të cilëve janë arabë si nga gjuha, ashtu edhe nga kultura, u kërkohet të jenë ura ndërmjet feve, qytetërimeve, kulturave e politikave. Ndërsa në Palestinë, shpjegoi imzot Tval, katolikët arabë duhet t’u japin përgjigje atyre që e shohin krishterimin si të paimpenjuar politikisht, sikur të krishterët që punojnë në drejtësi, në dialog për arritjen e paqes nuk mbajnë qëndrim kundër pushtuesve. Teologjia dhe baritoria e faljes, karakteristikë e krishterimit, interpretohen si mosimpenjim. Të krishterët palestinezë vuajnë nga gjendja e krijuar në vend e sidomos nga papunësia, prandaj gjithnjë e më tepër largohen si emigrantë për në vende të tjera, përfundoi me keqardhje Patriku latin i Jeruzalemit.







All the contents on this site are copyrighted ©.