2010-03-18 17:54:58

Fryma e tolerancës fetar tejet e rëndësishme për Kosovën


(18.3.2010 RV)Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Ipeshkvin katolikë të Kosovës, ku bisedoi me krerët e këtyre dy institucioneve fetare për shumë çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin dhe sigurinë. Pas takimit me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ministri Pajaziti tha se kjo ishte një vizitë në frymën e bashkëpunimit të ri. Ai vlerësoi se "Bashkësia Islame është kontribuues jashtëzakonisht i mirë në konsolidimin e shoqërisë kosovare në sigurinë e qytetarëve". Po ashtu ai tha se në këtë takim është biseduar për shumë çështje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe se janë dakorduar që të vazhdohet bashkëpunimi i mirë si dhe për të pasur takime të rregullta në nivele të ndryshme.
Ndërkaq, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, theksoi se Bashkësia Islame ballafaqohet edhe me probleme të ndryshme dhe ka nevojë që të shtrijë bashkëpunimin me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. "Në të ardhmen, do ta shtrijmë bashkëpunimin edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të patur në Kosovë një siguri, e cila do të ndikojë për një mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës", tha kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.
Ndërkaq, imzot Dodë Gjergji, pas takimit me ministrin Pajaziti, tha se ka shprehur vullnetin që si bashkësi fetare të ruhet toleranca vëllazërore e ndërfetare dhe t'i kontribuojnë "paqes dhe bashkëjetesës së ndershme dhe të rehatshme mes njerëzve", tha imzot Gjergji.
Ndërsa ministri Pajaziti shprehu kënaqësinë me bashkëbiseduesin ndanë "bashkërisht opinionet e njëjta për të gjitha çështjet e bashkëpunimit". Ai rikujtoi se "fryma e tolerancës që mbjell Kisha Katolike është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë e vendit", tha ministri Pajaziti. Duke folur për bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me Ipeshkvin dhe Kishën Katolike të Kosovës, ministri Pajaziti theksoi se janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin e mirë dhe të vazhdohet me kontributet e ndërsjella, që janë të rëndësishme për gjithë shoqërinë tonë, veçanërisht për sigurinë e vendit tonë. "Është mirë që në Kosovë ka tolerancë të mirë fetare dhe kjo na ndihmon shumë në lehtësimin e punës së përditshme dhe është një formë e mirë parandaluese për dukuritë që mund të shfaqen në shoqërinë tonë", theksoi ministri i Pajaziti gjatë vizitës pranë selisë së Ipeshkvit katolikë të Kosovës në Prishtinë. (nga Kosova.com)







All the contents on this site are copyrighted ©.