2010-03-17 16:40:46

Tension Izrael-SHBA: hiqen postoblloqet në Çisjordani


(17.03.2010 RV)Pas ndeshjeve të fundit ndërmjet policisë izraelite dhe manifestuesve palestinezë, që vazhduan edhe sot, autoritetet hebraike hapën kalimin për në Sheshin e Xhamive në Jeruzalem. U hoqën edhe postoblloqet në kufirin me Çisjordaninë.
Këto dhe telefonata të ethshme ndërmjet eksponentëve qeveritarë, gjatë natës së djeshme e gjatë ditës së sotme, kanë për qëllim të thyejnë akullin e krijuar ndërmjet Izraelit dhe SHBA-ve, pasi Tel Avivi nuk mori përsipër bllokimin e ngulimeve hebraike në Jeruzalemin Lindor. Cila është atmosfera që mbretëron në Izrael në këto momente. Flet në mikrofonin tonë, një gazetar i së përditshmes izraelite “Haarètz”, Meron Rapoport:
Netanijahu (kryeministri i Izraelit) beson vërtet se Izraeli nuk mund ta lerë Jeruzalemin, nuk mund të heqë dorë nga ato territore për arsye ideologjike. Prandaj ndodhet në një gjendje shumë, shumë të vështirë. Nga njëra anë, e di se gjërat në Amerikë kanë ndryshuar, por nuk di si të sillet.
Tashmë e thonë të gjithë se buldozerët po shkatërrojnë çdo përpjekje për paqen. Cila është karta, që mund të luajnë palestinezët?
Në këtë moment, besoj se palestinezët e ndjejnë veten të fortë, sepse kanë mbështetjen ndërkombëtare nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, mendoj se Palestina ka një politikë të re, e cila e ka kuptuar se përdorimi i luftës së armatosur është i padobishëm.
Mbetet fakti që Jeruzalemi Lindor rrezikon të mbushet me shtëpi kolonësh hebraikë…
Po: në të vërtetë, problemi është se në opinionin publik izraelit, nga njëra anë ekziston një konsensus shumë i madh për mosndarjen e Jeruzalemit, por nga ana tjetër, nuk kuptohet sa e rëndësishme është për palestinezët e për botën myslimane çështja e fatit të Jeruzalemit. Ndërkaq, në terren është gjithnjë i lartë rreziku i një “intifade” të re. Ekstremistët palestinezë të Hamasit e organizojnë vazhdimisht popullsinë në revoltë kundër Izraelit. Më i kujdesshëm qëndrimi i Fatahut, lëvizjes së presidentit Abu Mazen.







All the contents on this site are copyrighted ©.