(17.03.2010 RV)Bir i diakonit të bashkësisë Bannhaven Taberniae, Patriku lindi
në vitin 385 në Angli, por shpejt u kap nga piratët e u shit skllav në Irlandë, vend
i banuar nga keltët e skotët, ende paganë. Gjurmët e rinisë së tij janë të zbehta.
Dimë me siguri se para vitit 448 kishte ikur nga Irlanda e qe vendour në Okserrë,
pranë Gjermanit ipeshkëv, njeri me dije të thella e shenjtëri të jashtëzakonshme.
Më pas Patriku u rikthye në Irlandë, jo më si skllav, por si predikatar i Ungjillit.
Aftësia e tij gjeniale për t'u bërë një me shpirtin irlandez e për ta kuptuar me fund,
shpjegon pse predikimi i fesë së re ndërmjte irlandezëve nuk pati asnjë martir në
këtë tokë, banorët e së cilës qenë fise luftarake, shpesh në konflikt ndërmjet tyre.
Patriku formoi klerin vendas dhe bashkësitë e para të krishtera, duke respektuar thellësisht
traditat. Synoi së pari të kthente në fenë e krishterë kryetarët e fiseve, pas të
cilëve vinte gjithë fisi. Ndërtoi abacitë, që u bënë të famshme e bërthama të qyteteve
të ardhshme. Vuajti shumë për shkak të shpifjeve, që bënë kundër tij heretikët pelagjianë.
Atëherë Shenjti hartoi shkrimin e titulluar "Rrëfim" duke sqaruar se gjithë veprimtaria
e tij misionare s'ishte tjetër, veçse zbatim i një urdhëri hyjnor, e urrejtja e pelagjianëve
kundër tij, buronte thjeshtë nga urrejtja që ata kishin për Zotin, të cilit ai i
bindej pa kushte. Patriku i përfundoi në paqe ditët e veta në vitin 461 në Ulster
e pikërisht në Daun, që nisi të quhej Downpatrick. La pas një trashëgimi të shkëlqyer:
një radhë të gjatë shenjtorësh e një popull të lidhur pazgjidhshmërisht me fenë e
krishterë në rrjedhë shekujsh.
Një rrëfim i shkurtër për Pajtorin e Irlandës:
Patriku
sodit nga anija bregdetin irlandez, një vend që e njeh mirë. Kur ishte 16 vjeç, djaloshi
anglez qe kapur nga disa irlandezë, që e çuan në tokën e tyre, ku jetoi si i burgosur
për gjashtë vjet me radhë. Sot Patriku nuk është më i burgosur: kthehet në këto
troje të egra me dëshirën e vet. Një natë Jezusi iu duk në ëndërr dhe i kërkoi të
niset për t’ia kumtuar Ungjillin irlandezëve. E kështu Patriku u bë prift e u nis
me anijen e parë drejt e në Irlandë… E di se misioni i tij nuk është aspak i
lehtë. Irlandezët adhurojnë si hyjni të gjitha fenomenet e natyrës: drurët, burimet,
stinët... Zotin e gjejnë në natyrën e harlisur të ishullit të blertë, rrethuar me
kaltërsinë pa fund të ujërave. Patrikut i duhet të luftojë kundër krerëve fetarë,
druidëve, që të kallin frikë e tmerr: ata do të përdorin të gjitha forcat e tyre magjike
kundër tij, për të mos e lejuar ta përhapë Fjalën e Krishtit ndërmjet irlandezëve.
Po ç’mund të bëjë magjia e druidëve përballë një meshtari të dërguar nga vetë
Zoti? Patriku është plot besim e shpresë. U kundërvihet druidëve pa frikë e u tregon
qartë se magjia e tyre është e kotë. Natën e parë të Pashkëve në Ishull, meshtari
i krishterë ndez zjarre të mëdha në vendin ku ka ngulur banesën, për të kremtuar kështu
ngjalljen e Krishtit. Po kjo është e ndaluar. Dy hapa më tutje kremtohet një festë
për nder të hyjnive irlandeze e druidët, duke e parë në dritën valavitëse të flakëve,
tërbohen. Por nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndaluar. Magjia është e kotë. Njëri
pas tjetrit fiset irlandeze kthehen në fenë e krishterë, sepse krerët e tyre e shohin
qartë epërsinë e Patrikut mbi druidët. Megjithatë Patriku ka ende shumë për të bërë:
ndonëse tashmë e kanë marrë Pagëzimin, këta luftëtarë mbeten të egër. Nuk ngurrojnë
fare t’i plaçkisin e t’i masakrojnë fiset armike! Kur bëjnë beteja të tilla gjakatare,
Patriku zemrohet, i dëbon nga Kisha vrasësit e u jep urdhër të kërkojnë falje, në
se duan të mbeten të krishterë. E vetmja rrugë për të fituar respektin, është të mbash
qëndrim të paepur përballë krerëve të fiseve. Por Patriku di të jetë edhe i ëmbël
e i duruar, posaçërisht kur jep mësime katekizmi. Është mësues tejet i mirë. Gjen
gjithnjë rrugë të reja, interesante, për ta shpjeguar fenë e krishterë. Mësimi i tij
është tepër tërheqës. Të lë me gojë hapur. Po marrim vetëm një shemull: për të shpjeguar
ç’është Trinia Shenjte, përdor tërfilin, që bleron në të katër anët e ishullit. Trinia
– shpjegon – është si tërfili. Tërfili ka tri fletë, por është një bimë e vetme. Trinia
përbëhet nga tri Vetje: Ati, Biri e Shpirti Shenjt, por është një Hyj i vetëm”. Kjo
mënyrë për shpjegimin e themelit të fesë së krishterë u bë aq e famshme, sa edhe sot
tërfili mbetet simbol i Irlandës… e Patriku, Pajtori i saj.