2010-03-17 18:02:22

Papa në audiencën e përgjithshme: Zoti nuk njihet vetëm me arsye, por me forcën e dashurisë.


(17.03.2010 RV)Sot paradite Papa e mbajti audiencën e përgjithshme, për herë të parë këtë vit, në Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga dielli i ëmbël i fillimit të pranverës, mbas ditëve të gjata me reshje. Në qendër të katekizmit, përsëri figura e Shën Bonaventurës së Banjorexhos dhe arritjet e tij në shkencën teologjike, të krahasuara sot me veprën e Shën Tomës së Akuinit.
Shën Toma e Shën Bonaventura – tha Papa – e përkufizojnë në mënyra të ndryshme cakun e fundmë të njeriut, lumturinë e tij të plotë. Parë në këtë këndvështrim, mund të themi se kategoria më e lartë për Shën Tomën është e vërteta, ndërsa për Shën Bonaventurën, e mira. Do të ishte gabim të mendonim se këto dy përgjigje i kundërvihen njëra-tjetrës. Në të dyja rastet, e vërteta është edhe e mirë; ndërsa e mira, është njëkohësisht edhe e vërtetë; të shikosh Zotin, do të thotë ta duash, e ta duash, do të thotë ta shikosh. Kemi të bëjmë me theksime të ndryshme të një vizioni, në themel të përbashkët. Të dy këto theksime formuan tradita e përshpirtëri të ndryshme e kështu dëshmuan fekonditetin e fesë, që është një, në larminë e shprehjeve të saj të ndryshme.

Jeta e krishterë është një shkallë drejt Zotit. Kështu e perceptonte, 800 vjet më parë Shën Bonaventura nga Banjorexho. Një ngjitje ‘drejt lartësive të Hyjit’, që mund të kryhet me forcën e arsyes e të kërkimit shkencor teologjik deri në një farë pike, përtej së cilës mund të ngjitesh vetëm përmes dritës së dashurisë. E pikërisht aftësitë dhe kufizimet e teologjisë theksoi Benedikti XVI në katekizmin e audiencës së sotme, duke vënë ballë për ballë bindjet e Shën Bonaventurës nga Banjorexho me ato të Shën Tomës së Akuinit në fushën e teologjisë, e cila mund të jetë spekulative, domethënë mund të na çojë në radhë të parë tek njohja e Zotit, ose praktike, domethënë mund të na çojë drejt së mirës. Papa shprehu mendimin se:
“Për Shën Tomën qëllimi më i lartë, drejt të cilit shkon dëshira jonë, është të shohim Zotin. Në këtë akt të thjeshtë të pamjes së Zotit, gjejnë zgjidhjen të gjitha problemet: arrijmë lumturinë, nuk kemi më nevojë për asgjë tjetër.
Ndërsa për Shën Bonaventurën, fati i fundmë i njeriut është: ta dojë Zotin, të takohet e të bashkohet, në dashurinë e tij e tonën. E ky, për të, është edhe përkufizmi më i mirë i lumturisë së njeriut”.
Përparësisë së teorisë ose të praktikës, Shën Bonaventura i shton një aspekt të tretë – tha Papa- i cili i përmbledh të dy të tjerët: atë të dijes. Duke mbrojtur këtë tip të reflektimit metodik e racional të fesë, studiuesi françeskan ndalet tek një konceptim i gabuar i teologjisë së kohës së tij – por edhe i kohës sonë, sipas të cilit – theksoi Papa…:
“… arsyeja e zbrazka fenë, qenka një sjellje e dhunshme, në krahasim me fjalën e Zotit, të cilën duhet ta dëgjojmë, por jo ta analizojmë. Këtyre argumenteve kundër teologjisë, të cilat na bindin për rreziqet që ekzitojnë në vetë teologjinë, Shenjti u përgjigjet: është e vërtetë se ka një mënyrë arrogante për të bërë teologji, një mburrje të arsyes, që vihet përmbi fjalën e Zotit. Por teologjia e vërtetë, puna racionale e teologjisë së vërtetë e të mirë, ka një zanafillë tjetër. Kush dashuron, dëshiron ta njohë gjithnjë më mirë e më gjatë atë që do (…). Prandaj për Shën Bonavnturën vendin e parë e zë dashuria”.
Për të arritur në këtë konceptim të teologjisë – shpjegoi Papa – Shën Bonaventura u ndikua, pa dyshim, nga ideja se ‘vendin e parë e zë dashuria”, karakteristike për karizmën françeskane. Por në këtë ide të njohjes së Zotit në formën e ngjitjes së vazhdueshme shpirtërore, ndjehet edhe ndikimi i teologut më të lashtë siriak, që njihet me emrin Pseudo- Dionisi, i cili i kishte ndarë ëngjëjt në nëntë rende:
“Shën Bonavntura i interpreton këto rende të ëngjëjve si shkallë që e afrojnë krijesën tek Zoti. Kështu ata mund të përfaqësojnë shtegtimin e njeriut, ngjitjen e tij drejt bashkimit me Zotin”.
Gjithsesi, Pseudo-Dionisi është i mendimit se ekziston edhe një këmbë shkalle, e fundmja, përtej pamjes me arsye e me zemër, e cila për Shën Agostinin – kujtoi Papa – është kategoria e fundit e njohjes:
“Në ngjitjen drejt Zotit mund të arrihet në një pikë, ku arsyeja nuk sheh më. Por, atje ku bie nata e mendjes, dashuria vijon të shikojë; ajo sheh atë, që nuk mund ta shohë arsyeja. Dashuria shtrihet përtej arsyes, shikon më shumë, hyn në thellësinë e misterit të Zotit (…). Pikërisht në natën e errët të Kryqit, duket e gjithë madhështia e dashurisë hyjnore”.
 
Ndërmjet shumë përshëndetjeve, drejtuar shtegtarëve nga të katër anët e botës, Papa kujtoi në mënyrë të veçantë delegacionin e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, ardhur nga dioqeza amerikane e Trentonit, ku u ndez “Pishtari Benediktin për paqen”.
Uroj që një veprimtari e tillë – theksoi Papa – të kontribuojë për formimin e vetëdijes së solidaritetit dhe të kulturës së paqes, duke ndjekur shembullin e Shën Benediktit, apostullit të palodhshëm, që shkriu gjithë jetën ndërmjet popujve të Evropës. E një përshëndetje tjetër tejet të ngrohtë, Papa ua drejtoi të rinjve, duke pasur parasysh edhe afrimin e stinës së re. “Takimi me ju – u tha Ati i Shenjtë - më gëzon gjithnjë e, njëkohësisht, është burim shpresash, sepse mosha juaj është pranverë e jetës. Prandaj ju uroj të mos e harroni kurrë dashurinë që ka Zoti për ju”.







All the contents on this site are copyrighted ©.