2010-03-16 15:11:38

Papa shkon në Mbretërinë e Bashkuar nga data 16 deri më 19 shtatorin e ardhshëm, me ftesë të mbretëreshës.


(16.03.2010 RV)Benedikti XVI do të shkojë për vizitë në Britaninë e Madhe nga data 16 deri në datën 19 të shtatorit të ardhshëm. Kështu lajmëron me anë të një komunikate mbretëresha Elizabeta II. Mbi këtë udhëtim apostolik, i pari i një Pape me statusin e “vizitës shtetërore”, u mbajt në Londër një konferencë shtypi e përbashkët e qeverisë dhe e konferencave ipeshkvnore të Skocisë, Anglisë dhe Uellsit.
“Një rast pa precedent për të forcuar lidhjet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Bashkuar përsa u përket nismave globale dhe për të vlerësuar rolin e rëndësishëm të fesë në krijimin e bashkësive të qëndrueshme”: kështu u shprehën ipeshkvijtë për gazetarët.
Papa do të pritet nga mbretëresha Elizabeta më 16 shtator në Pallatin Holirud-hauz në Edimburg të Skocisë. Ati i Shenjtë do të mbajë një fjalim për shoqërinë civile britanike në Uestminster. Në Koventri do të kremtojë Meshën në të cilën do të shpallet i Lum teologu i madh Xhon Henri Njuman. Momente të tjera të rëndësishme të vizitës do të jenë Mesha në Glasgou, lutja në Londër, takimi me botën e kulturës dhe vizita te kryeipeshkvi i Kanterburit dhe primatit të Bashkimit Anglikan në Lambet. Gjithashtu, Papa do të lutet me krerët e besimeve të tjera të krishtera në Abacinë e Uestminsterit.
Në një mesazh video në faqen e internetit, që i kushtohet vizitës së Benediktit XVI në Britaninë e Madhe, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë e të Uellsit, imzot Vinsent Nikols nënvizon se është hera e parë që një Papë ftohet të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar nga vetë mbretëresha:
“Ky – pohon imzot Nikols – është një moment thellësisht domethënës për krejt vendin e natyrisht për bashkësinë katolike”. Shpresoj, shton ai, që do të tregojë se bashkësia katolike është me të vërtetë e aftë të kontribuojë në mirëqënien e kombit. Katolikët mund ta mbështesin këtë mision duke qenë të pranishëm e duke u lutur me Papën, por edhe duke shfaqur gëzimin, që vjen nga feja, në mënyrën me të cilën i bëjnë gjërat.
Për të përgatitur udhëtimin, nga ana e qeverisë britanike, është caktuar ministri Xhim Marfi, i cili, gjatë konferencës për shtyp, vuri theksin në rëndësinë e ndikimit që ka Selia e Shenjtë dhe Papa në fusha të ndryshme ndërkombëtare dhe në dialogun ndërmjet feve. Edhe Papa Gjon Pali II pati shkuar në Britaninë e Madhe në vitin 1982, por jo në vizitë shtetërore. Po atë vit, u vendosën marrëdhëniet e plota diplomatike ndërmjet Vatikanit dhe Mbretërisë së Bashkuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.