2010-03-16 16:44:42

Lindje e Mesme: tension në Jeruzalem në “Ditën e protestës”


(16.03.2010 RV)Tension në Jeruzalem, ku policia izraelite u ndesh me grupe palestinezësh, që manifestonin në të ashtuquajturën “Ditë e protestës”, organizuar nga Hamasi kundër planeve për ndërtimin e ngulimeve hebraike në lindje të qytetit. Lotsjellës, granata dhe gurë në kampin e refugjatëve të Kalandies, afër Ramallahut dhe në lokalitete të tjera të Çisjordanisë. Rreth 50 vetë u plagosën lehtë. Protesta u rrit edhe për shkak të përurimit të djeshëm të një sinagoge brenda mureve të qytetit të vjetër, që, sipas traditës, do të ishte preludi i rilindjes së një tempulli hebraik në Sheshin e Xhamive, në vend të xhamisë Al Aksa.
Përveç ngjarjeve në terren, Izraeli duhet të përballojë edhe krizën diplomatike me SHBA-të. Sot, i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Miçëll shtyu misionin për në Izrael, gjë që konfirmon se qeveria e Tel Avivit nuk ka pranuar të ndalojë ndërtimin e ngulimeve hebraike në Jeruzalemin Lindor. Për këtë arsye ka protestuar edhe Përfaqësuesja e lartë evropiane për Punët e Jashtme, Ketrin Eshton.







All the contents on this site are copyrighted ©.