2010-03-16 15:47:57

Imzot Ravazi: “Apokalipsi: fund apo shpëtim?”


(16.03.2010 RV)Në kuadrin e manifestimeve me titull “Dialogu i Krezhmëve” në dioqezën italiane të Milanos, kryeipeshkvi Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën, mbajti mbrëmë një meditim mbi temën “Apokalipsi: fund apo shpëtim?” Pikërisht mbi këtë libër, që është edhe më hermetiku e më i vështiri i Biblës, flet në mikrofonin tonë vetë teologu i njohur:
Nga njëra anë, është një libër thellësisht realist, pasi njëzet kapituj i kushtohen paraqitjes së gjithçkaje të errët në histori. Pra, të asaj errësire ku jemi zhytur. Por, nga ana tjetër, dy kapitujt e fundit, që janë të përfshira nga drita, janë paraqitja e një realiteti, në të cilin nuk besojmë më: është projekti, vizioni, shpresa.
Shpresa si impenjim konkret në perspektivën e Pashkëve:
Pashkët, për natyrën e tyre, janë sigurisht një vështrim i drejtuar lart, drejt amshimit, drejt pafundësisë, pasi është vetë Krishti, që e lë horizontin tokësor dhe hyn në mister. Prandaj, për njeriun bashkëkohor është edhe dëshirë, përpjekje për të arritur të shohë përtej hundës së vet, për të parë trashendencën, misterin, për t’i bërë vetes pyetje. Por Krishti i ngjallur nuk është fantazmë, por vazhdon të jetë i pranishëm në histori përmes një rruge tjetër. Prej këndej vjen besnikëria ndaj hapave që duhet të bëjmë gjatë ekzistencës sonë tokësore. Është besnikëria në ndërtimin e përditshëm të një bote të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.