(15.03.2010 RV)Papë nga 10 dhjetori i vitit 741, deri më 15 mars 752, Zakaria
ishte bir i një familjeje greke, me banim në Kalabri, ku edhe lindi në vitin 700 pas
Krishtit. Duhet të ketë qenë diakon i Kishës së Romës, sepse emrin e tij e gjejmë
ndërmjet nënshkruesve të Sinodit romak të vitit 732. U zgjodh papë në dhjetor të
vitit 741, pas Gregorit III (731-741), pa kërkuar më konfirmimin e ekzarkut perandorak
të Ravenës. Periudha kur u ul në fronin papnor, ishte tejet e vështirë për Kishën.
Longobardët, të komanduar nga mbreti Liutprando, ishin në portat e Romës, ndërsa
Perandoria e Lindjes, në kulmin e luftës së ikonathyesve. Papa u përpoq t’i zgjidhte
konfliktet e mprehta, mes të cilave duhej të kryente misionin e tij. U takua, në
Terni, me Liutprandin dhe me disa fisnikë të kohës, që vijonin të ndesheshin për
zgjërimin e principatave të tyre. Arriti t’i kthente sundimin e ligjshëm edhe dinastisë
së re karolinge, në Francë. Përsa i përket Perandorisë së Lindjes, pati marrëdhënie
të stuhishme me perandorin Kostandini V Kopronim (718-775), nxitës i politikës së
thyerjes së ikonave. Pas shumë përpjekjesh, ia doli mbanesh ta afrojë me Kishën e
Romës. Thirri dy Sinode për Romën, në të cilat konfirmoi dënimin e shqiptuar nga
Shën Bonifaci kundër dy heretikëve, Adalbertit e Klementit. I qeverisi me sukses Kishën
dhe trojet, që i përkisnin, për dhjetë vjet me radhë. Gjatë papnisë së tij organizoi
kolonitë bujqësore, rindërtoi pallatin e dëmtuar të Lateranit, zbukuroi Kishën e lashtë
të Shën Marisë, në këmbët e kodrës Palatine, ku ruhet ende portreti i tij, realizuar
kur ishte gjallë. Zakaria, i fundmi papë grek, erudit i thellë, vdiq më 15 mars
të vitit 752, në Romë e u varros në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Emri
Zakari vjen nga gjuha aramajke e do të thotë ‘kujtesë e Zotit’.Për të, në Martiriologun
Romak, shkruhet: Zakaria papë i vuri pritë pushtimit longobard; u tregoi frankëve
cila ishte qeverisja më e drejtë; ndërtoi Kisha për popujt gjermanikë dhe siguroi
unitein me Kishat e Lindjes, duke e drejtuar Kishën e Zotit me mprehtësi e urti të
madhe.