Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 15 mars përkujtojmë përvjetorin e lindjes
së Faik Konicës. Faik Konica është nga personalitetet më në zë të kulturës
dhe letërsisë shqipe. Prozator e poet, publicist e estet, kritik letrat e përkthyes,
ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe
dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhanti artistike, mjeshtër
i hollë i gjuhës shqipe, Faik Konica hyri në historinë e kulturës shqiptare kombëtare
si erudit e stilist i përkryer. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje
të vjetër feudale, mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe
greke. Qe nxënës i Kolegjit Saverian të Jezuitëve në Shkodër, ku hodhi ato baza, pa
të cilat nuk do të kishte mundur të vijonte shkollat më në zë të botës, duke filluar
nga liceu perandorak francez i Stambollit, për ta kryer pastaj shkollën e mesme në
Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke
u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua
për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA-së. Që i ri e lidhi jetën dhe veprën
e tij edhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi botoi broshurën “Shqipëria
dhe turqit”(1895) në Paris, u vendos në Bruksel (Belgjikë), ku nisi botimin e revistës
politiko-kulturore dhe letrare “Albania”, që u bë organi më i rëndësishëm e më me
autoritet i rilindjes. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si
një enciklopedi e vërtet, ajo propagandoi për vite me radhë (1897-1909) programin
e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Më
1909, posa u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët, Faik Konica
shkoi në SHBA ku drejtoi gaztën “Dielli” , dhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”.
Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj.
Faik Konica dhe imzot Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare
shqiptare në SHBA, shkuan në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën
e Ambasadorëve. Në kongresin të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar
copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës
së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi
të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetiu. Nč vitn 1921 u kthye në SHBA-së, ku
u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet 1920 u lidh dhe ndikoi në
lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte përmes gazetës “Dielli”
dhe “Shqiptari i Amerikës”. Pas dështimit të revolucionit demokratik, me ardhjen e
Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA-së. Vdiq
në Uashington më 14 dhjetor 1942. Veprimtarinë e tij publicistike e letrare, Faik
Konica e zhvilloi kryesisht në shtyp, në revistën “Albania”, ku botoi vjersha, proza
poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm etj. Përgatiti dhe përmbledhjen
letrare “Kandili i kuq!, por nuk mundi ta botojë. Në të vërtetë nga Konica nuk kemi
asnjë libër të botuar, me përjashtim të vëllimit me përralla të përkthyera “Nën hijen
e hurmave” (1924). Krijimtaria e tij e shpërndarë në shtypin e kohës dhe një pjesë
e papërfunduar, do të botohen pas vdekjes. Veçojmë veprën e rëndësishme, prozën gjatë
satirike, “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”, ciklin e tregimeve
“Kater përrala nga Zullulandi”, udhëpërshkrimin “Shqipëria si m’uk duk..”. Konica
la në dorëshkrim anglisht edhe veprën “Shqipëria - kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore”
dhe ese tjera, që u botuan pas vdekjes. I quajtur nga Noli “kryelëronjësi i gjuhës
sonë” dhe “stilist i përkyer”, ai shkroi një lutje, që do të meritonte të përsëritej
çdo ditë nga të gjithë njerëzit e penës: “ Ati i ynë që je në qiell, jepna
fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thën! Falna durimin
të thelojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të
mprehtë të drejtësisë, që të flasim jo vetëm me paanësi po edhe të sillemi ashtu! Shpëtona
nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës, dhe nga lajthimet
e shtypit. Ashtu qoftë!”.