Papa të rinjve në Mesazhin për Ditën e 25-të Botërore të Rinisë: pavarësisht nga vështirësitë,
mos hiqni dorë nga ëndrrat; refuzojeni lirinë pa vlera.
(15.03.2010 RV)“Mosha juaj është pasuri e madhe, jo vetëm për ju, por edhe
për të tjerët, për Kishën e për botën”. Me këto fjalë u drejtohet Papa të rinjve,
në Mesazhin për Ditën e 25-të Botërore të Rinisë, që do të kremtohet më 28 mars, të
Dielën e Larit. Është kremtim në nivel dioqezan. I paraprin takimit të madh botëror
të të rinjve, që organizohet çdo dy vjet. Takimi i ardhshëm është caktuar tashmë.
Do të mbahet në gusht 2011, në Madrid. Por, të njihemi më hollësisht me Mesazhin
e Papës, drejtuar të rinjve në mbarëbotën. “Krishterimi nuk është në radhë
të parë moral”- pohon Benedikti XVI, duke shtuar se është kryesisht “takim me Jezu
Krishtin”. Papa shpjegon: Krishterim do të thotë ta provosh se Krishti na do personalisht
e se këtë e bën, edhe kur i kthejmë shpinën. Në këtë dashuri gjendet burimi i gjithë
jetës së krishterë – thotë Papa. E pikërisht kjo dashuri na jep forcë t’i kapërcejmë
të gjitha provat: zbulimin e mëkateve tona, vuajtjen, çkurajimin. Prandaj Benedikti
XVI u drejton të gjithë të rinjve ftesën: “Dëgjojeni zërin e Zotit, i cili ka një
plan dashurie për secilin nga ju”.
E prej këndej buron edhe tema e DBR-së
së sivjetme: “Mësues i mirë, ç’duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”.
Është pyetja e të riut pasanik në takimin me Jezusin, takim që – shpjegon Papa – dëshmon
qartë vëmendjen e madhe të Krishtit për të rinjtë. Jezusi – vijon Ati i Shenjtë -
ka dëshirë ta takojë secilin nga ju personalisht, të nisë dialogun me secilin. Ashtu
si i riu i pasur i Ungjillit, që e pyet Jezusin ç’duhet të bëjë, ndoshta edhe ju
– vijon Papa – jetoni në situata të vështira, të trazuara, të turbullta, të dhimbshme,
që ju shtyjnë të kërkoni një jetë të re, larg mediokritetit e, me të drejtë, edhe
të pyesni: “Si mund të ec në rrugën drejt një jete të vërtetë? Si mund ta realizoj?
Ç’duhet të bëj? Ç’ plan duhet të hartoj për jetën time?”. Mos kini frikë t’i bëni
këto pyetje – shton Benedikti XVI. E sidomos, t’u jepni përgjigje. Ato shprehin aspiratat
tuaja, ëndrrat, që i keni në thellësi të zemrave. Zëri i zemrës duhet dëgjuar, duhen
bërë përpjekje për t’i realizuar ëndrrat në jetë. E Papa i fton të rinjtë t’ia venë
mirë veshin dhe thirrjes për jetën meshtarake, për jetën rregulltare ose familjare,
duke shkuar edhe kundër rrymës, në se këtë e kërkon Ungjilli.
Benedikti XVI
kujton se mendësia aktuale propozon një liri pa vlera, pa rregulla, pa norma objektive.
Të fton ta kapërcesh çdo kufi, kur është fjala për të realizuar dëshirat e çastit.
Po ky lloj propozimi – pohon Papa – në vend që t’i prijë drejt lirisë së vërtetë,
e shtyn njeriun të bëhet skllav i vetvetes, i dëshirave të tij të çastit, i idhujve,
si pushteti, paraja, kënaqësia e shfrenuar. Papa kujton edhe vështirësitë e botës
rinore, të cilat i njeh mirë: “Të rinjve të sotëm – thotë - u duhet të përballojnë
probleme të mprehta, pasojë e papunësisë, e mungesës së idealeve e të perspektivave
të sigurta për të ardhmen. Pavarësisht nga këto, Benedikti XVI i fton të mos i harrojnë
dhuratat, që Zoti i ka mbyllur në zemrën e secilit. I këshillon të rinjtë të përgatiten
seriozisht për jetën e të studiojnë, për t’i shërbyer me aftësi të larta profesionale
e me bujari, së mirës së përbashkët. I fton gjithashtu të kultivojnë në zemër dëshirat
fisnike të vëllazërimit, të drejtësisë e të paqes e t’i vënë me fryt në jetë, talentet
e mundësitë e tyre. Pavarësisht nga vështirësitë – u thotë Benedikti XVI të rinjve
– mos i humbisni shpresat e mos hiqni dorë nga ëndrrat. Dita, tashmë e afërt, Botërore
e Rinisë, që do ta kremtojmë të Dielën e Larit, është e 25-ta: 25 vjet më parë, Gjon
Pali II i hapte udhën asaj, që Papa e quan “takim i përvitshëm i të rinjve besimtarë
në mbarë botën”. Në këtë përvjetor, Benedikti XVI u dorëzon të rinjve porosinë:
“Ardhmëria është në duart e atij, që di të kërkojë dhe të gjejë arsye të forta
për të jetuar e për të shpresuar”.