2010-03-14 17:48:32

“Familja, shpresë për Evropën”, në qendër të fjalimit të kardinalit Enio Antoneli, në Asamblenë e Gnieznos


(14.03.2010 RV)“Vizioni dhe detyrat e familjes në vendet e ndryshme të Evropës, marrëdhëniet brenda bërthamës familjare dhe politika, në mbrojtje të familjes, parashikuar nga ligjshmëritë e ndryshme”. Këto tema ishin në qendër të vëmendjes së Asamblesë VIII të Gnjeznos, punimet e së cilën përfunduan sot, në Poloni. Pjesëmarrësit e takimit e, në mënyrë të posaçme, gjithë familjet e Polonisë, morën një përshëndetje tejet të përzemërt në gjuhën polake, nga Benedikti XVI.
Papa uroi sot paradite, gjatë lutjes së Engjëlli të Tënzot, që ky takim të japë ndihmesën e vet në përtëritjen e familjes, si bashkësi e krijuar nga vetë Zoti dhe e themeluar mbi ligjin e Tij.
Çasti më prekës i takimit ishte “Marshimi ekumenik i jetës”, që u përshkrua mbrëmë nëpër rrugët e qytetit polak.
Sot paradite në asamble foli edhe Kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen.Hirësia e Tij kujtoi se tridhjetë vjet më parë, në nxitjen apostolike ‘Familiaris Consortio’, Gjon Pali II u bënte thirrje familjeve të mobilizohen për të ndërtuar një shoqëri, që u kushton vëmendje më të madhe të drejtave të tyre dhe të marrin mbi vete përgjegjësinë për shndërrimin e shoqërisë. Këto fjalë – tha Kardinali Enio Antoneli – jehojnë me forcë edhe në shoqërinë e sotme, që ka ndryshuar thellësisht:
“Thirrja nuk ka rënë në veshë të shurdhër; po merr përgjigje gjithnjë më të guximshme në veprimtarinë e shoqatave familjare, farë tjetër shprese për ardhmërinë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.