2010-03-14 15:44:46

Papa në Engjëllin e Tënzot: të lëshohemi në krahët e Zotit e të rilindim nga dashuria e tij e mëshirshme


(14.03.2010 RV)RealAudioMP3 Hyji i qëndron besnik njeriut, edhe kur largohet prej Tij. Në Jezu Krishtin, Hyji na dhuron pajtimin. Në se e pranojmë këtë dhuratë, mund ta përhapim mesazhin dhe dashurinë e Zotit në botë. Këtë theksoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së Dielës IV të Krezhmëve, duke komentuar faqen e Ungjillit, që propozon shembëlltyrën e babait e të dy bijve, e cila njihet si shembëlltyra e ‘djalit plangprishës’.
Kjo faqe e Shën Lukës – tha Papa – është një nga majat e përshpirtërisë e të letërsisë të të gjitha kohëve. Ç’do të ishin kultura jonë, arti, e më në përgjithësi, vetë qytetërimi ynë - pyeti Ati i Shenjtë – pa zbulesën e Zotit Atë, përplot me mëshirë? Për çdo njeri, për çdo bir – pohoi Papa – kjo shembëlltyrë është nxitje për t’ia besuar gjithë vetveten mëshirës së Atit:
Ta vemë veten në vendin e dy bijve, e sidomos, të kundrojmë zemrën e Atit. Të lëshohemi në krahët e tij e të rilindim nga dashuria e tij përdëllyese”.
Shembëlltyra e ‘djalit plangprishës’ – shtoi Papa – vijon të na prekë thellë e, sa herë që e dëgjojmë ose e lexojmë, e kuptojmë gjithnjë në një mënyrë krejt të re:
“Posaçërisht, ky tekst ungjillor ka forcë të na flasë për Zotin, të na bëjë ta shikojmë fytyrën e Tij, e më shumë akoma, zemrën e tij. Pasi Jezu Krishti na ka treguar historinë e Atit të mëshirshëm, gjërat nuk mbeten më si më parë, tani e njohim Zotin: Ai është Ati ynë, që për dashuri na krijoi të lirë e të pajisur me ndërgjegje, që vuan në se ne humbasim e bën festë, në se rikthehemi”.
Lidhja me Zotin, lidhje ndërmjet birit e Atit, përshkon të gjitha etapat e pranishme në marrëdhëniet e prindërve me bijtë e tyre:
Prandaj lidhja me Të krijohet përmes një historie, njëlloj si ajo e çdo biri me prindërit e tij: në fillim fëmija varet prej tyre; pastaj kërkon pavarësinë; e në fund – në se punët shkojnë mirë – lidhja fiton pjekurinë, bazuar tek mirënjohja dhe dashuria e vërtetë”.
Mund të ketë një fazë, që është si fëmijëria: një fe, e cila e merr shtytjen nga nevoja, nga vartësia. Por ndërsa rritet e emancipohet, njeriut i lindë dëshira të çlirohet nga kjo vartësi e të bëhet i lirë, i pjekur, i aftë për t’u kujdesur vetë për punët e veta e për t’i zgjedhur në mënyrë të pavarur rrugët e jetës, duke menduar se mund të bëjë edhe pa Zotin:
“Kjo fazë, pikërisht, ështe tejet delikate. Mund të çojë në ateizëm, por edhe kjo, shpesh herë, fsheh nevojën për të zbuluar fytyrën e vërtetë të Zotit. Për fatin tonë, Zoti mbetet gjithnjë besnik e, edhe pse ne i largohemi dhe e humbasim, vijon të na ndjekë me dashurinë e tij, duke na i falur fajet e duke i folur ndërgjegjes sonë, për të na ftuar të rikthehemi tek Ai”.
Në shembëlltyrën e ‘djalit plangprishës’ – kujtoi në vijim Papa – dy bijtë sillen në mënyrë të kundërt: i vogli shkon e bie poshtë e më poshtë, ndërsa i madhi rri në shtëpi, por edhe ai ka një lidhje të papjekur me Atin. Të dy djemtë përfaqësojnë dy mënyra të papjekura të lidhjes me Zotin: “Rebelimin e bindjen miturake’. Të dyja këto forma – përfundoi Papa – kapërcehen përmes përvojës së mëshirës:
“Vetëm duke provuar faljen, duke e ndjerë se na duan, me një dashuri pa pikën e interesit, shumë më të madhe se mjerimi ynë, por edhe se drejtësia jonë, hyjmë, më në fund, në një lidhje me të vërtetë bijnore e të lirë me Zotin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.