2010-03-14 13:35:53

Notë e Atë Lombardit për rastet e shpërdorimeve seksuale në Gjermani: një drejtim i qartë edhe në ujëra të trazuara.


(14.03.2010 RV)RealAudioMP3 Në fund të kësaj jave, gjatë së cilës vëmendja e shumicës së shtypit evropian u përqendrua tek çështja e shpërdorimeve seksuale, kryer nga persona e në institucionet e Kishës katolike, na lejohet të bëjmë tri vërejtje:
Pikë së pari, vija e përcaktuar nga Konferenca Episkopale Gjermane, është konfirmuar si rrugë e drejtë për përballimin e problemit në të gjitha aspektet. Deklaratat e kryetarit të Konferencës, Kryeipeshkvit Zollitsh, pas takimit me Atin e Shenjtë, i rikthehen vijave të vendosura në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Konferencës dhe ripohojnë pikat themelore operative: të pranohet e vërteta e të ndihmohen viktimat; të forcohet veprimtaria parandaluese e të bashkëpunohet me autoritetet- përfshirë edhe ato gjyqësore shtetërore – për të mirën e përgjithshme të shoqërisë. Imzot Zollitsh ripohoi, pa asnjë mëdyshje, edhe opinionin e specialistëve, sipas të cilit çështja e celibatit nuk duhet ngatërruar në asnjë mënyrë me atë të pedofilisë. Ati i Shenjtë e inkurajoi vijën e ipeshkvijve gjermanë e cila – me gjithë veçantitë e rrethanave të vendit të tyre – mund të shikohet si model shumë i frytshëm, frymëzues edhe për konferencat e tjera ipeshkvnore, që ndodhen përballë problemesh të ngjashme.
Përveç kësaj, intervista e rëndësishme dhe e gjatë, dhënë nga Prokurori i zyrës për drejtësinë pranë Kongregatës për Doktrinën e Fesë, Imzot Çarls Shikluna, shpjegon me hollësi domethënien e normave kanonike të veçanta, të vendosura nga Kisha vitet e kaluara për të dënuar krimet e rënda të shpërdorimit seksual të të miturve nga ana e kishtarëve. Bëhet më se e qartë se këto norma nuk kanë nënkuptuar e as nuk kanë favorizuar kurrfarë mbulimi të krimeve të tilla, përkundrazi, kanë nxitur një veprimtari të dendur për t’i përballuar, për t’i gjykuar e për t’i dënuar si duhet këto krime në kuadrin e institucioneve kishtare. Është e drejtë të kujtojmë se gjithë kjo veprimtari nisi kur Kardinali Razinger ishte Prefekt i Kongregatës. Vija e tij në përballimin e situatave, edhe më të vështirave, ka qenë gjithnjë e rreptë e parimore.
Së fundi, Kryedioqeza e Munihut iu përgjigj, me një komunikatë të gjatë e të hollësishme, pyetjeve rreth ngjarjes lidhur me një meshtar, transferuar nga Esen në Munih të Bavarisë, në kohën kur Kardinali Razinger ishte kryeipeshkëv i qytetit, meshtar i cili, më pas, u fajësua për shpërdorime mbi të miturit. Komunikata hedh dritë mbi faktin se kryeipeshkvi nuk kishte kurrfarë dijenie për vendimet që u morën, pasi u vërtetuan shpërdorimet. Për fat të keq, është e qartë se këto ditë pati nga ata, që kërkuan – duke ngulur këmbë në tepri, në Regensburg e në Munih - elemente për ta ngatërruar personalisht Atin e Shenjtë me çështjet e shpërdorimeve. Çdo vëzhgues objektiv e ka të qartë se këto përpjekje dështuan plotësisht. Pavarësisht nga stuhia, Kisha e shikon mirë udhën që duhet të ndjekë, nën udhëheqjen e sigurtë e të rreptë të Atit të Shenjtë. Siç kemi pasur, tashmë, mundësi të vërejmë, shpresojmë se edhe kjo trazirë, në fund të fundit, do ta ndihmojë shoqërinë, në tërësinë e saj, që të kujdeset gjithnjë më mirë për mbrojtjen e edukimin e fëmijëve dhe të rinjve.







All the contents on this site are copyrighted ©.