(14.03.2010 RV)Bashkimi i plotë e i dukshëm është qëllimi kryesor i dialogut
katoliko-luteran, që nga faza e parë e rrugës së tij. Kjo fazë nisi në vitin
1976 e përfundoi me dokumentin “Ungjilli e Kisha”, që njihet edhe si “Raporti i Maltës”
(1972). Dokumenti shënonte një fillim tejet premtues. Më pas të dyja palët u mirëkuptuan
për tema të cilat, që nga koha Reformës, shikoheshin si burim i përçarjes ndërmjet
kishave, siç janë “Ungjilli e tradita” dhe “Shfajsimi”. Në vijim të fazës së
dytë të dialogut, u thelluan çështje të tjera si: “Darka e Mbrame e Zotit” (1978);
“Rruga drejt bashkimit”(1980), “Të gjithë nën të njëjtin Krisht” (1980), me rastin
e 450- vjetorit të kthimit të Shën Augustinit ; “Shërbimi i meshtarit në Kishë” (1981),
“Martin Luteri, dëshmitar i Jezu Krishtit” (1983), me rastin e 500-vjetorit të lindjes
së Luterit; “Bashkimi para nesh” (1984), dokument në të cilin u fol për modelin, fazat
e format e bashkimit katoliko-luteran. Gjatë bisedimeve, u pa qartë se të gjitha temat
e diskutuara, lidhen ngushtësisht me çështjen ekleziologjike. Njëkohësisht u thellua
vetëdija se ndasitë konfesionale nuk do të mund të kapërceheshin aq lehtë, si ishte
shpresuar në fillim. Faza e tretë e dialogut, nga viti 1986, deri në vitin
1993, u mor me kuptimin ekleziologjik të doktrinës së shfajsimit; kjo fazë çoi në
botimin e dokumentit “Kisha e shfajsimi”, në vitin 1994. Ishte e qartë se një mirëkuptim
i mundshëm mbi doktrinën e shfajsimit, duhej argumentuar mbi baza ekleziologjike.
Bisedimet, zhvilluar vetëm në nivel ndërkombëtar, çuan më 1999, në nënshkrimin zyrtar
të “Deklaratës së Përbashkët mbi doktrinën e shfajsimit”, nga Federata Luterane Botërore
dhe Kisha katolike. Pas këtij dokumenti, divergjencat doktrinore që mbetën të pazgjidhura,
nuk shikohen më si përçarëse. Me botimin, në vitin 2006, të një studimi me temë
“ Karakteri apostolik i Kishës”, Komisioni ndërkombëtar për bashkimin katoliko-luteran,
përfundoi fazën e katërt të dialogut. Faza e pestë, e nisur më 2009,
zgjodhi si temë: “Pagëzimi dhe bashkimi kishtar, në rritje”. Pritet të hartohet edhe
një tekst i përbashkët me rastin e përvjetorit të Reformës, që do të kremtohet më
2017.Në nivelin e bashkimit ekumenik, katolikët e luteranët arritën rezultate shumë
më të mëdha, se ato që përfytyroheshin 40 vjet më parë, ndonëse nuk janë kapërcyer
ende të gjitha mosmarrëveshjet. Megjithatë, duhet theksuar se atmosfera ekumenike
e përgjithshme, sot është krejt e ndryshme në krahasim me atë të periudhës paskonciliare.