2010-03-14 17:58:57

Benedikti XVI takohet me Bashkësinë ungjillore luterane të Romës. Pastori Jens-Martin Kruze: e presim Papën me gëzim të madh


(14.03.2010 RV)RealAudioMP3 Bashkësia ungjillore-luterane e Romës e priti Papën me gëzim të madh. Në orën 17.30 Benedikti XVI shkoi në Kishën romake luterane të Krishtit, për të marrë pjesë në kremtimin liturgjik, sipas ritit ungjillor. Papa, që shoqërohej nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Bertone; nga kardinali mëkëmbës, Valini dhe nga Kryetari i Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve, kardinali Kasper, u prit nga pastori Kruze.
Kujtojmë se në vitin 1983, Gjon Pali II e vizitoi Christus kirche me rastin e 500-vjetorit të lindjes së Martin Luterit: ishte hera e parë që një papë shkelte në një kishë luterane, që nga koha e Reformës.
Në vitin 1998, kardinali i asokohshëm Racinger, u takua me Bashkësinë ungjillore-luterane romake, me rastin e festës së saj të përvitshme. Por, me ç’ndjenja e priti Papën kjo bashkësi e krishterë. Në mikrofonin tonë, pastori Jens-Martin Kruze:

Përgjigje: - Për ne është vërtetë ditë gëzimi. Jemi të kënaqur për këtë ngjarje dhe e presim Papën me kënaqësi të madhe.

Pyetje: - Nuk është takimi i parë me Benediktin XVI, sepse në tetor 1998, Kardinali i asokohshëm Razinger, u takua me Bashkësinë ungjillore-laterane. Ç’ka ndryshuar që atëherë?

Përgjigje: - Kardinali i asokohshëm Razinger, sot Papa Benedikti XVI, e njeh mjaft mirë bashkësinë tonë, ashtu si njeh edhe teologjinë luterane e përshpirtërinë tonë. Vjen, pra, në një kishë, të cilën e njeh mirë. Për ne, ai është ipeshkvi i Romës. Këtë ftesë ia bëmë që në vitin 2008, pikërisht sepse në këtë vit mbusheshin 25 vjet nga vizita e Gjon Palit II.

Pyetje - Ç’do të thotë për ju të presësh për vizitë Papën?

Përgjigje: - Për ne është një shenjë ekumenizmi në Romë e gjëja më e rëndësishme, është se mund të kremtojmë së bashku një kult. Të dëgjojmë së bashku Fjalën e Zotit e të lutemi së bashku.

Pyetje: - Diçka për veprimtarinë tuaj, në kuadrin e dialogut ndërmjet katolikëve e luteranëve?

Përgjigje: - Këtu, në Romë, kemi shumë marrëdhënie me Kishat e tjera. Në Javën e Madhe, për shembull, në lagjen tonë kremtojmë një Udhë Kryqi ekumenike, së bashku me kishën e Shën Kamilit de Lelis, me kishën e Shën Terezës së Avilës e me të gjitha kishat e tjera, të pranishme në këtë zonë. Kemi marrëdhënie shumë të mira me murgjërit e abacisë romake të Shën Palit jashtë Mureve e sivjet, në kuadrin e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, kremtuam një kult luteran në këtë Bazilikë. Jemi edhe anëtarë të shoqatës së Kishave protestante. Shumë besimtarë të bashkësisë sonë kanë marrëdhënie tejet të mira me famullinë katolike të lagjes ku banojnë.

Pyetje: - Cilat janë parimet themelore të dilogut katoliko-luteran?

Përgjigje: - Të dyja palët bëjmë atë që është e mundur, siç është të kremtuarit e kultit së bashku e, sidomos, puna në fushën teologjike.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.