(14.03.2010 RV)Bashkësia ungjillore-luterane e Romës zuri fill në vjeshtën
e vitit 1817. Kremtimet e saj të para liturgjike u mbajtën, asokohe, në Kapitol, në
Pallatin e lidhjes prusiane. Dalëngadalë në Romë u formua një bashkësi ndërkombëtare
e gjuhës gjermane. Në një truall, brenda kopshteve, që asokohe i përkisnin Vilës Ludovisi,
më 1911 filloi ndërtimi i Christuskirche (Kisha e Krishtit), sipas projektit të arkitektit
Franz Shveshten. Gotfrid Riegelman dhe Ernest Pfanshmid realizuan stolisjen e brendshme
të kishës dhe mozaikët. Në kapelën e Kapitolit mbetën amvona për leximet, Bibla
madhështore për elterin dhe gurra e lashtë e pagëzimit, vepër e artistit Bertel Torsvalden. Christuskirche
u përurua më 5 nëntor 1922. Që atëherë, bashkësia ungjillore-luterane e Romës e
kremton në këtë Kishë liturgjinë e të dielave e të festave të mëdha. Bashkësia
ungjillore-luterane e Romës është një nga anëtaret-themeluese të Kishës ungjillore-luterane
të Italisë, themeluar pas Luftës II Botërore, në vitin 1949. Sot numëron 14 bashkësi. Rreth
350 besimtarët (e regjistruar) këndojnë e luten kryesisht në gjuhën gjermane, por
edhe në atë italiane. Në zemër të jetës së kësaj bashkësie plot gjallëri, është Mesha
e së dielës, që e bën të pranishëm Krishtin ‘këtu’ e ‘sot’: e këtë përpiqet ta arrijë,
duke dëgjuar me vëmendje Ungjillin e duke u përpjekur për ta kryer misionin në mënyrë
të tillë, që besimtarët të mblidhen në kishë me kënaqësi e, në shtëpinë e Zotit, të
gjejnë përgjigjet themelore për jetën e tyre!