2010-03-14 13:35:17

Ati i Shenjtë pret Kryeministren e Kroacisë.


(14.03.2010 RV)Sipas një komunikate të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, dje, e shtunë, 13 mars, Ati i Shenjtë priti në audiencë Kryeministren e Kroacisë, zonjën Jadranka Kosor. Më pas Zonja Kosor u takua edhe me Hirësinë e Tij, Kardinalin Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili shoqërohej nga Shkëlqesia e Tij, Imzot Dominik Mambertì, Sekretar për marrëdhëniet me shtetet.
Në qendër të vëmendjes, gjatë bisedimeve të përzemërta, ishte shkëmbimi i mendimeve mbi disa tema të aktualitetit ndërkombëtar si dhe mbi situatën në zonë. Në veçanti biseda u përqendrua tek gjendja e bashkësisë kroate në Bosnjë-Hercegovinë, një nga tre popujt, që e përbëjnë këtë vend. Më pas u ripohua vullneti i përbashkët për të vijuar dialogun ndërtues mbi tema me interes të përbashkët për Kishën e për Shtetin kroat. Në përfundim, u shqyrtuan disa tematika lidhur me rrugën e Kroacisë drejt pranimit të plotë në Bashkimin Evropian.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.