2010-03-12 16:57:42

Papa para Kongregatës për Klerin ripohon vlerën e celibatit, si dhurim i vetvetes për Hyjin e për të afërmin dhe thekson: kemi nevojë për meshtarë, që t’i flasin botës për Zotin.


(12.03.2010 RV)RealAudioMP3 Kemi nevojë për meshtarë që, pa rendur pas modave kulturore, ta dëshmojnë praninë e Zotit në botë: kjo është zemra e fjalimit plot pasion, që Benedikti XVI ua drejtoi sot paradite 700 ipeshkvijve e meshtarëve, pjesëmarrës në takimin teologjik, organizuar nga Kongregata për Klerin.
Papa u ndalua në mënyrë të posaçme tek tema e takimit: “Besnikëria e Krishtit, Besnikëri e meshtarit”, duke ripohuar vlerën e celibatit e duke i ftuar meshtarët t’u kundërvihen të gjithë atyre, që do të dëshironin ta shndërronin meshtarin në një punonjës social.
Në emër të pjesëmarrësve, Papën e përshëndeti kardinali Klaudio Humes, prefekt i Kongregatës për Klerin.

Bota e sotme ka nevojë për meshtarë, që të jenë të tillë deri në fund të fundit. Benedikti XVI ripohoi se, në një epokë, e cila ka prirjen të zhdukë çdo konceptim identitar, duke menduar se është në kundërshtim me lirinë e demokracinë, duhet t’i kemi tejet të qarta “karakteristikat e veçanta teologjike të shërbimit meshtarak”. E kjo, që të mos tundohemi për ta barazuar këtë shërbim me ndonjë nga kategoritë kulturore sunduese:
“Në rrethanat e sotme, ku sundon shekullarizimi, që e përjashton në mënyrë progresive Zotin nga sfera publike e, në mënyrë tendencioze, edhe nga ndërgjegjja shoqërore e shumicës, shpesh herë meshtari duket si i huaj në mes të turmës, pikërisht për shkak të aspekteve më themelore të misionit të tij, si njeri i shenjtërisë, i shkëputur nga bota, për të ndërmjetësuar në favor të botës, i caktuar në këtë mision nga Zoti e jo nga njerëzit (cfr.Heb 5,1).
Papa vërejti se duhen kundërshtuar prirjet e rrezikshme për ta kufizuar misionin meshtarak, të cilat përpiqen ta paraqesin meshtarin gati-gati si të ishte një punonjës social, duke i krijuar rrezikun të tradhtojë vetë meshtarinë e Krishtit. Ndërsa duhet pohuar, e me forcë, edhe në ditët tona, vlera e shenjtë e celibatit, sepse është profeci e vërtetë e Mbretërisë së Hyjit, shprehje e dhurimit të plotë të vetvetes në shërbim të Zotit e të afërmit:
“Siç bëhet gjithnjë më urgjent shpjegimi i vazhdimësisë, për të kuptuar si duhet tekstet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, ashtu na duket i nevojshëm edhe shpjegimi i asaj, që mund ta quajmë ‘vazhdimësi meshtarake” e cila, duke u nisur nga Jezusi i Nazaretit, Zot e Krisht, e duke u përshkuar nëpër dymijë vjet histori, madhështi, shenjtëri, kulturë e përshpirtëri, shkruar nga Meshtaria në botë , arrin deri në ditët tona”.
Në kohën kur jetojmë – vijoi Papa - ka shumë rëndësi që thirrja për rrugën e meshtarisë të lulëzojë në karizmën e profecisë:
Ndjehet një nevojë e madhe për meshtarë, që t’i flasin botës për Zotin e që t’ia paraqesin Zotin botës: njerëz që nuk bien pré e modave kalimtare kulturore, por janë të aftë ta jetojnë vërtetësisht atë liri, të cilën mund ta dhurojë vetëm Zoti, kur i përket Atij plotësisht”.
Papa nënvizoi se profecia më e nevojshme është ajo e besnikërisë që, duke u nisur nga besnikëria e Krishtit për njerëzimin, përmes Kishës e shërbimit të meshtarisë, e ndihmon meshtarin ta jetojë meshtarinë e vet në bashkim të plotë me Zotin e me Kishën. Në të vërtertë – vijoi të reflektojë Ati i Shenjtë, meshtari nuk i përket më vetvetes, po bëhet ‘pronë’ e Zotit. Fakti që meshtari i përket “një Tjetri – shtoi Papa- duhet të njihet nga të gjithë, përmes një dëshmie të qartë:
“Në mënyrën si mendon, si flet, si i gjykon ngjarjet e botës, si shërben e si do, si sillet me të tjerët, e edhe si vishet, meshtari duhet ta ketë mirë parsysh forcën profetike të përkatësisë së tij sakramentore, thellësinë e qenies së tij. Si pasojë, duhet të ketë shumë kujdes e t’i largohet mendësisë sunduese, që kërkon ta shikojë vlerën e meshtarit jo në qenien e tij, por në funksionin që kryen, duke përjashtuar kështu, veprën e Zotit, e cila ndikon fuqimisht mbi identitetin e thellë të meshtarit, duke e bërë të ngjashëm me vetveten, në mënyrë përfundimtare”.
Misioni i meshtarit – vuri në dukje Papa – është thirrje tejet e lartë. Mbetet mister i madh edhe për ata, që e kanë marrë si dhuratë:
“Mangësitë tona e ligështitë tona duhet të na nxisin ta jetojmë e ta ruajmë me fe të thellë një dhuratë të tillë të çmuar, përmes së cilës Krishti na bëri të ngjashëm me Vetveten e pjesëtarë të Misionit të tij shëlbues”.
Papa ripohoi nevojën e një jete profetike, pa asnjë kompromis, që do të ndihmojë në ardhjen e mbretërisë së Hyjit, tashmë të pranishme, dhe në rritjen e popullit të Zotit në fe.
Benedikti XVI e përfundoi fjalimin e tij me një thirrje, që është njëkohësisht edhe sfidë, për meshtarët e sotëm:
“Fort të dashur meshtarë, burrat e gratë e kohës sonë kërkojnë nga ju vetëm të jeni deri në fund të fundit meshtarë, e asgjë tjetër. Besimtarët shekullarë do të gjejnë ndër shumë njerëz mbështetje për nevojat e tyre njerëzore, por vetem tek meshtari mund të gjejnë atë Fjalë të Zotit, që duhet ta ketë gjithnjë në buzë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.