2010-03-12 17:05:39

Kishat e Evropës mbrojnë familjet e emigrantëve, viktima të ligjeve të padrejta.


(12.03.2010 RV)“Është institucioni familjar, ai që vuan më tepër nga ligjet e padrejta, të cilat rregullojnë fenomenin e emigracionit”. Kështu shkruhet në Komunikatën e përbashkët të Këshillit të konferencave episkopale të Evropës e të Konferencës së Kishave evropiane, që u bë i njohur në përfundim të takimit vjetor të Komitetit të përbashkët Ccee-Kek, mbajtur këto ditë në Stamboll, me ftesën e Patrikut Bartolomeu I.
Sivjet anëtarët e Komitetit të përbashkët, kryesuar, për Ccee, nga kardinali Peter Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit; për Patriarkanën ekumenike, nga Metropoliti Emanuel i Francës, analizuan fenomenin e emigracionit.
Shpesh – denoncojnë Kishat evropiane në Komunikatën përfundimtare, transmetuar nga Agjensia Sir- bërthama familjare detyrohet të shpërbëhet, të ndahet, sepse nuk mundësohet bashkimi familjar.
Gjëja që të shqetëson më shumë, është se viktimat e para të politikave të tilla janë fëmijët, të cilët rriten pa dashurinë e pa edukatën, që merret në familje, në praninë e të dy prindërve: babait e nënës. Gjithnjë më shpeh fëmijët mbeten jetimë me prindër gjallë e në rastin më të mirë, u besohen gjyshërve. Themi në rastin më të mirë, sepse nganjëherë lihen edhe në duart e kushërinjve të largët ose të fqinjve.Pasojë e një ndarjeje të tillë, janë format e rënda të depresionit ndër anëtarët e familjes, të cilat nganjëherë arrijnë deri në vetvrasje.
Evropa – shkruhet më pas në Komunikatë - ndoshta është ende e paqartë për pasojat shkatrrimtare që mund të ketë ky fenomen për vetë të ardhmen e saj. Ndërsa duhet ta kuptojë plotësisht se shoqëritë tona nuk mund të bëjnë pa familjen e se bashkimi i familjeve nuk është vetëm në dobi të njeriut, por të mbarë shoqërisë.
Në komunikatën përfundimtare, Ccee e Kek, pas tri ditë pune e diskutimesh, ripohojnë se drejtësia e dashuria janë vijat orientuese të sjelljes së çdo të krishteri, përballë fenomenit të emigracionit: “Nga njëra anë, ligjshmëria e drejtësia, e nga ana tjetër, njohja e detyrueshme e dinjitetit njerëzor e dhembshuria për njerëzit më nevojtarë, duhet të formojnë një të tërë të pandarëshme”- nënvizohet në Komunikatë.







All the contents on this site are copyrighted ©.