2010-03-11 11:55:12

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’kuptim ka fjala “mister” për të krishterët?


(17.03.2010 RV)Të dashur dëgjues, jemi në periudhën e Krezhmëve, që u paraprin Pashkëve të Ringjalljes, festët më të madhe të krishterimit. Predikimi i nesërm i atë Raniero Kantalamesës në Vatikan do të ketë për temë: “Shpërndarës të mistereve të Zotit. Meshtari, ministër i Fjalës dhe i Sakramenteve”. Por ç’kuptim ka fjala “mister” për të krishterët?

Shprehja “misteri i Pashkëve” për të treguar ngjarjen shëlbuese të vdekjes e ngjalljes së Krishtit, është e zakonshme në teologji. Po ashtu, në fund të shugurimit eukaristik, liturgjia parashikon që meshtrari të thotë: “misteri i fesë”. Kjo fjalë, që rrjedh nga rrënja greke “myein” (të heshtësh), e që për këtë arsye ka kuptimin e ndonjë sekreti që duhet zbuluar, tingëllon 28 herë në Besëlidhjen e Re. Dikur mendohej se ky term është marrë nga bota pak si ezoterike e “mistereve” greke të qytetit të Eleusëve, ose nga misteret e Dionisit, të Isidës apo të Mitrës, hyjni që ishin në qendër të kulteve të ashtuquajtura “nistore”. Përmes riteve të veçanta, besimtari hynte në bashkim me hyjninë për të fituar shpëtimin, duke ruajtur fshehtësinë absolute (që këtej, fjala “mister”).
Por, në të vërtetë, përmbajtja e misterit të krishterë është krejtësisht e ndryshme nga ajo e misterit pagan. Gjithashtu, në krishterim nuk flitet për rite të veçanta e sekrete. Hera e vetme në të cilën vihet në gojën e Jezusit kjo fjalë në Ungjij, flitet për “misterin e Mbretërisë së Zotit” (Mk 4,11), pra për planin universal të shëlbimit, që Hyji ka për historinë njerëzore. Natyrisht, vetëm dishepujt janë plotësisht të ndërgjegjshëm për këtë plan, ndërsa turmat e njerëzve e kuptojnë vetëm përmes shembëlltyrave. Por është sidomos Shën Pali Apostull, ai që e zhvillon më tej temën e misterit.
Misteri i Zotit është thelbi i predikemeve të tij, sepse ka të bëjë me Jezusin e kryqëzuar, burim jete e shpëtimi. Pra, vihet në qendër jo një veprim ritual, por një ngjarje, që shënon thellësisht historinë njerëzore. Ky mister i fshehur në mendjen e në vullnetin hyjnor, u zbulua në Krishtin dhe u shpall nga predikimi i krishterë. Përmbajtja e tij shpëtimprurëse nuk është për pak vetë, por për të gjithë popujt, të cilët janë të thirrur të bëjnë pjesë në korpin e Krishtit. Me të vërtetë, Apostulli rrëfen se misioni i tij ka si qëllim shpalljen e “misterit të mbajtur fshehur gjatë shekujsh e breznish, të cilin tani ua zbuloi shenjtërve të tij. Këtyre Hyji deshi t’ua njoftojë lavdinë e begatshme të këtij misteri në paganë” (Kol 1,26-27).
Në Letrën drejtuar Efesianëve, Shën Pali e përsërit këtë mesazh edhe më qartë: “Misteri i Krishtit nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirt Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: se paganët – në Jezu Krishtin – janë bashkëpjestarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit” (3,5-6). Siç kuptohet, në ndryshim nga ai grek, që u drejtohet personave të fshehtë e të privilegjuar, misteri i krishterë është dhuratë universale shëlbimi, ofruar jo përmes riteve të fshehta, por në aktin e dhurimit të Krishtit, në solidaritetin e tij me ne përmes vdekjes e glorifikimit të Tij.
Të gjithë janë të thirrur të hyjnë në korpin e Krishtit, që është Kisha, seli e shlëbimit. E shën Pali përdor një paralelizëm sugjestionues për të ilustruar cilësinë e bashkimit shpëtimprurës ndërmjet krishtit e njerëzimit, kur flet për martesën e krishterë, shenjë e dashurisë dhe e lidhjes ndërmjet burrit e gruas: “Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën” (Ef 5,32). Shfaqja e gjallë e misterit të shëlbimit është, pra, dashuria dhe uniteti i martesës së krishterë. Ai nuk është tjetër, veçse vullneti i Zotit për të afruar drejt vetes, në Krishtin, krejt njerëzimin, që “Zoti të jetë gjithçka në të gjithë” (1 Kor 15,28).







All the contents on this site are copyrighted ©.