Simpozium në Romë në dhjetëvjetorin e miratimit të deklaratës Dominus Iesus.
(11.3.2010 RV)U zhvillua sot në Romë një simpozium kushtuar dhjetëvjetorit
të Deklaratës Dominus Iesus mbi vlerën shëlbuese universale dhe unike të Jezu Krishtit
dhe të Kishës. Dokumenti nënshkruar nga kardinali Jozef Racinger, asokohe prefekt
i kongregatës për Doktrinën e Fesë, u pat ratifikuar nga Papa Gjon Pali II më 16 qershor
2000. Simpoziumi i sotshëm ishte promovuar nga Fakulteti i Teologjisë së universitetit
papnor Regina Apostolorum. Po cilat janë disa nga pikat themelore të kësaj
deklarate? Ja të përmendim disa prej tyre:
Deklarata Dominus Iesus,
që shpeshherë është keqinterpretuar, nuk synon të trajtojë në mënyrë organike problemet
që kanë të bëjnë me vlerën universale shëlbuese dhe unike të Misterit të Jezu Krishtit
dhe të Kishës, por ta paraqesë edhe njëherë Doktrinën e Kishës duke e parë nga këto
këndvështrime dhe duke e vënë theksin në të njëjtën kohë edhe tek disa probleme që
mbeten të hapura për shqyrtime të mëtejshme. Deklarata synon gjithashtu të
hedh poshtë disa qëndrime të gabuara ose të dyshimta. Dokumenti fillon me këto fjalë:
“Zoti Jezus, përpara se të ngjitej në qiell i besoi dishepujve të vet mandatin
për ta kumtuar Ungjillin në mbarë botën dhe për t’i pagëzuar të gjitha kombet: “Shkoni
në të gjithë botën dhe predikojani Ungjillin çdo krijese. “Kush do të besojë dhe pagëzohet
do të shpëtojë, por kush nuk do të besojë do të dënohet”.
“Misioni
universal i Kishës pra, – vazhdon më tej ky dokument – “buron nga vetë mandati i
Jezu Krishtit”, por sot, vë në duke deklarata “është akoma larg përmbushjes së tij”.
Prandaj Kisha bashkohet me fjalët e Shën Palit: “Për mua predikimi i ungjillit nuk
është mburrje. Përkundrazi është një detyrë që më vihet. Mjerë unë sikur të mos ta
predikoja ungjillin!”
Nga ana tjetër deklarata shprehet qartë edhe
për kishat e tjera të krishtera. “Kishat – thuhet në të, – që ndonëse nuk janë
në bashkim të plotë me Kishën Katolike, prapseprap mbetën të bashkuara me të nëpërmjet
disa lidhjeve tepër të ngushta siç janë trashigimia apostolike dhe Eukaristia e vlefshme,
dhe këto janë vërtet kisha të veçanta.”
Në fund deklarata nënvizon
edhe njëherë rëndësinë e përhapjes së Lajmit të Mirë. “Kumtimi i Ungjillit të gjithë
popujve, – përfundon ajo – edhe në kontekstin e dialogut ndërfetar “e ruan plotësisht,
sot e gjithmonë, vlefshmërinë dhe nevojën e saj. kjo sepse Zoti do që të gjithë njerëzit
të shëlbohen dhe të arrijnë ta njohin të vërtetën.” Si rrjedhojë, “pikërisht pse
beson në planin universal të Zotit per shpëtimin e njerëzimit, Kisha duhet të jetë
misionare.” – përfundon dokumenti Dominus Iesus.