At Çiprian Nika, në përvjetorin e pushkatimit nga komunizmi
(11.3.2010 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 11 mars kujtojmë përvjetorin
e pushkatimit të At Çiprian Nikës, françeskan nga komunistët më 11 mars 1948, në orën
5 të mëngjesit, te Zalli i Kirit, në Shkodër, bashkë me vëllezërit e shokët e gjithë
jetës. Të gjithë ata që e kanë njohur At Çiprian Nikën, dëshmojnë se
ishte një shenjt i vërtetë. Feja e tij e thellë, kultura e tij dhe dashuria e tij
për atdheun ngjallën urrejtjen e kundërshtarëve. Lindi në Shkodër, më 19 korrik
1900, nga Mihill dhe Ana Ali Mirashi. Në pagëzim mori emrin Dedë. Mbeti jetim kur
ishte pesë vjeç. Ndoqi shkollën fillore dhe të mesmen te fretërit në Shkodër, kurse
studimet teologjike në Austri. Zhgunin françeskan e veshi më 16. 10. 1916. Kushtet
solemne i dha më 16. 09. 1921. U shugurua meshtar në Romë më 25. 07. 1924. Ishte mësues
i novicëve dhe i klerikëve, gvardian dhe definitor, si edhe provincial i françeskanëve
(më 1938-1941), e prapë gvardian i kuvendit të Shkodrës nga viti 1943 e deri në vdekje. U
arrestua me akuzën e rrejshme se kishte marrë pjesë në vendosjen e armëve në elterin
e kishës; gënjeshtër e shpikur për të shkatërruar kuvendin. Fjalët e tij të fundit
të shkruara në verbalin gjyqësor kanë qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë
tanë. Shqipëria nuk vdes me ne!” U pushkatua me 11 mars 1948, jashtë mureve të
varrezave. Ishte rregulltar i vërtetë, zbatues i palëkundshëm i Rregullës. I fortë,
i devotshëm e i zellshëm, një martir i vërtetë i fesë dhe i atdheut. ******** GUARDIAN I FRANÇESKANËVE TË SHKODRËS “Vuejtja, o bir, e ban ma fisnike
fitorën!” Ka lé në Shosh të Shkodrës, më 19 korrik 1900. Prindët e tij ishin Mëhill
e Prenda Nika, të cilët e lanë jetim qyshë të vogël 5 vjeç. Prifti i Shoshit e solli
Dedën e vogël në Kuvendin e Françeskanëve të Shkodrës, ku përfundoi edhe shkollën
e mesme. U dallue si nxanës dhe tue pasë thirrjen shpirtnore për meshtar vëndosi me
iu kushtue urdhnit të Sh’Françeskut. Përfundoi studimet e Larta Teologjike në Austri
dhe më 26 korrik 1924, shugurohet meshtar në Romë, tue marrë emnin Çiprian, në Urdhnin
e Fretënve të Vogjël, (O.F.M.). Vjen në Shkodër me një prëgatitje të mirë kulturore.
Ishte ndër ma të ditunit në fushën teologjike dhe filozofike. Emnohet profesor në
Gjimnazin e Fretënve. Ka pasion muzikën. Nën drejtimin e At Martin Gjokës merr pjesë
në orkestrën frymore të Françeskanëve që përbahej prej rreth 40 vetësh. Ishte ndër
flautistët ma të mirë që cilëson mjeshtri At Gjoka. Njihët edhe me vegla tjera frymore
të bandës muzikore. Zotnonte mirë disa gjuhë, spikati në gjermanisht, frengjisht dhe
greqishtën e vjetër. Ishte bashkëpuntor i revistave “Hylli i Dritës” dhe “Leka”, ku
ka shkrue artikuj me vlerë në fushën filozofike. Njihët si Provinçiali ma i ri në
moshë sëpse, në vitin 1938 drejton Provinçën e Shqipnisë. Një figurë e kompletueme
në të gjitha pikëpamjet, françeskan në veshje dhe në dukje të virtytëve të tij, i
qeshun, i dashtun, i qetë, i ambël dhe joshës në biseda. Fizionomia e tij pasqyronte
modelin shpirtnuer të Fratit t’Asizit. Në kohën e Opozitës kundër Mbretit Zog, asht
i pandamë nga fretnit tjerë, merr pjesë me malësorët e krahinës së tij në Shosh. Për
fat të keq në vitin 1939, u ndodh në postin e Provinçialit dhe u detyrue me pranue
okupacionin fashist. Asht anti-italian dhe nuk afrohet fare me ndjesitë proitaliane
të disa klerikëve, si At Bernardin Palaj, At Rrok Gurashi etj. Pak kujt aso kohe i
shkonte mendja tek një okupacion i mundëshëm i Italisë, mbasi ardhja e saj mendohej
se sillte një dëshirë të madhe të shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me tokën nanë.
Shumë atdhetarë tue fillue nga Mustafa Kruja e deri tek Don Lazër Shantoja, kishin
qëndrue me vite të tana në mërgim tue punue për një Shqipni Etnike, gja të cilën e
shohin se mund të realizohej nga ardhja e Italisë apo e Gjermanisë së njohtun antisllave.
Pavarësisht nga koha e shkurtë por një gja e tillë u realizue. Hapja e 120 shkollave
shqipe nga Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi, me mësues shqiptarë në tokat e Shqipnisë
jashtë kufijve të sotëm shka përfshinë në Veri dhe Kosovën, na pëlqen ose jo, në fund
të fundit duhet pranue se, po mos të ishin hapë ato shkolla në vitin 1941, sot asnjë
nga shqiptarët e atyne krahinave nuk do të dinte me shkrue e lexue në gjuhën amtare
shqipe. Në vitin 1943 At Çipriani, ishte me u zgjedhë prap Provinçial,
por asht At Mati Prennushi që mendon se At Çipriani nuk duhet sakrifikue tue u vue
si Provinçial, mbasi Shqipnia ishte në pragun e okupacionit tjetër, këtë herë nga
komunist dhe këta do ta pushkatonin të parin. At Matia merr postin e Provinçialit
vetë, me mendimin se regjimi komunist nuk ka me kenë i gjatë dhe pranon ma parë vetsakrifikimin
se humbjen e At Çiprianit, i cili asht mjaft ma i ri edhe në moshë. Nëse, Anglo Amerikanët
do të ndryshonin politikën e tyne me Shqipninë, tue mos e lanë në mëshirën e Jugosllavisë,
atëherë pushteti nuk mbetëj vetëm në dorë të komunistëve. Gjithë shpresa ishte se
me hymjen e grupeve të tjera në qeveri, komunistët do të spostoheshin dhe do të krijoheshin
rrëthana të tjera politike. Koha e ardhëshme mbas luftës mendohej se do të ishte ma
favorizuese për të gjitha çështjet kombëtare. Mundësia e një zbarkimi Anglo- Amerikan
në Ballkan ishte e mundëshme dhe e pritëshme nga pjesa ma e madhe e antifashistëve
shqiptarë që nuk i donin komunistët. Kjo dëshirë jo e parealizueshme ishte edhe e
klerit shqiptar, e kryesisht atij françeskan. Madje, koha ka me nxjerrë fakte që At
Anton Harapi dhe Regjenca në muejt e fundit kanë punue për një qëllim të tillë, pavarësisht
se përpjekja i shkoi kot nga lidhjet e mëshefta të Rusveltit me Stalinin, të njohtuna
zyrtarisht në Jalta. Askujt nuk mund t’i shkonte mendja se koha e mbas luftës do të
sjellin shkatrrimin e plotë të krejt përpjekjeve të një shekulli të të gjithë shqiptarëve.
Me shkuemjen e At Anton Harapit, si Regjent në Tiranë, Provinçial u zgjodh
At Matia dhe At Çiprian Nika mbeti Guardian i Françeskanëve të Shkodrës. At Pal Dodaj
ishte sekretar i Provinçës, një françeskan me vlerë në shumë fusha. Ishte historian
i njohtun dhe si i tillë edhe një ndër politikanët e rrafinuem që ka pasë kleri, prandej
asht kudo. At Pal Dodaj deklaron: “Në 1924 jam kenë me Opozitën. Në vitin
1922, kam tentue me bashkue Zogun me Luigj Gurakuqin, mbasi tue u bashkue trimnia
e Zogut me urtësinë e Gurakuqit, do t’i vinte nji hov Shqipnisë. Zogu e pranoi, Luigji
jo! E, mbet.”(Dosja 1248). Ardhja e Gjermanisë në Shqipni asht quejt kalimtare mbasi
tue fillue nga qeverisja dhe krejt organizimi i shtetit ishin në dorën e shqiptarëve.
Lufta që ata kanë ba kundër komunistëve dhe italianëve i ka dhanë mundësinë e një
simpatie të gjithë atdhetarëve, por ç’e do, ishte koha kur ata i kishte marrë tatpjeta
dhe nuk la mundësinë e një organizimi të mirë të forcave përparimtare në dobi të vendit,
ku tashma mbretnonte kausi dhe rrumbuja. Secili veç mendonte me ikë. Forcat gjermane
të vendosuna në Shkodër kanë hy edhe në kuvendin e fretërve vetëm për fjetje. Dy herë
At Çipriani e At Matia kërkojnë nga Komanda Gjermane lirimin e kuvendit, tue e konsiderue
një shkelje, herën e parë u lirue, por mbas dy javësh kanë hy prap dhe nuk kanë dalë
ma deri me datën 29 nandor 1944, që janë largue përfundimisht nga Shqipnia.
Kjo kohë asht edhe periudha ma fatkeqe për At Çiprianin mbasi gjermanët kur u larguan
kanë lanë disa armë në oborr, të cilat atë ditë, pra, më 29 nandor At Çipriani, i
nxjerr nga oborri përpara dhe i çon tek stallat e derrave mbrapa në shi e në diell,
si të ishte koha. Kur fillon me u ndigjue rreziku i mbajtjes së armëve mbas
Lëvizjes së Veriut dhe të Koplikut, më 14-15 janar 1945 At Matia, urdhnon që të treten
armët jashta kuvendit të Fretënve edhe pse janë të ndryshkuna dhe të prishuna jashtë
përdorimi. At Çipriani, tue pasë frikë se hedhja në rrugë do të ngarkojë qytetarët
përreth kuvendit me përgjegjësi, mbasi mund të kontrollohen shtëpijat e tyne dhe vështirë
se mund të kishte një shtëpi pa dy armë, e shkaktari do të ishte At Çipriani, ky vëndosë
groposjen e këtyne armëve në një ambjent larg kuvendit në kantinën e venës, ku hapë
tokën e dyshemës së shtrueme me çimento dhe derdhë prap beton sipër tue i çimentue
edhe armët, me anën e një ushtari italian i mbetun rob që shërbente në shtëpinë e
tij. At Filip Mazrreku, mbante dy revolverë të vëllazënve të tij si kujtim,
mbasi të dy ishin vra nga komunistët. Për këtë ai njofton At Çiprianin i cili ia merr
të dy dhe i tretë në gropën e zezë, bashkë me një tjetër të At Zef Mesit që kishte
vdekë pikërisht ato ditë kur partizanët kontrollonin krejt qytetin shtëpi për shtëpi.
Një armë, tip alltije të gjetun nga At Gjeçovi, bashkë me një armë ma të gjatë edhe
kjo me vlera vjetërsije dhurue nga Lef Nosi, e rujtun në muzeun e Fretënve, mësheret
nga At Çipriani, nën dyshemen e dhomës së tij me anën e kuzhinierit Martin Tarri,
me qëllim që të mos i grabitet nga komunistët ashtu si pat ndodhë në kontrollin e
parë të kuvendit nga Sheuqet Peçi. Pak ditë para 29 nandorit 1944 dy përsona
i sjellin At Pal Dodës një arkë të vogël me disa dokumenta të shkruem turqisht. At
Pali, njofton At Çiprianin dhe At Matinë për këta dokumenta të mbylluna në arkë, që
ua kishte dërgue Gjoni i Markagjonit para se të arratisej nga Shqipnia. Kur
puna e kontrolleve shpeshtohet, At Matia urdhnon që të digjen bashkë me disa dokumenta
të lanuna nga Papalilo në një zarf, edhe ky i arratisun ndër ato ditë. Bashkë me disa
shkrime të At Bernardin Palaj, të At Fishtës, dokumenta të Gjeçovit, janë disa dokumenta
muzeale me vlerë historike si dhe disa pare të vjetra të kohës ilire, edhe këto të
gjetuna nga gërmimet e Gjeçovit. At Pal Dodaj me dijeni të At Çiprianit, (simbas dëshmisë
së bame në hetuesi, Dosja 1248, Arkivi i M.Mbrendshme Tiranë), i hap në disa skuta
e qoshe me mendimin se kanë me u dashtë për shpjegime historike ma vonë. Për vëndet
ku ishin futë ishte në dijeni At Donat Kurti, At Frano Kiri dhe fra Zef Pëllumbi,
xhakue, përveç dy të parëve, mbasi u kishte ndihmue me i vue ndër ato vënde.
At Pal Dodaj mendon me u ndrrue vend, këtë ia thotë edhe At Çiprianit, mbasi: “xhakojt
Ndoc Vasili, Zef Pëllumbi dhe Luk Kaçaj janë mërzitë e nuk bajnë ma për këtë punë
“ por, nuk i premton koha me i heq mbasi me datën 15 nandor 1946, kur Kuvendi këthehët
në burg, të gjithë janë të arrëstuem. Luk Kaçaj, nuk përmendet ma mbasi siduket, nuk
asht implikue në ndonjë ngjarje, gja të cilën e ka tregue edhe jeta e tij sëpse, kur
ishte me tregue vedin para një gjyqi fals në Tiranë, ai shprehi mirënjohje ndaj mësuesve
të vet françeskanë, gja të cilën e ka ba pak kush. Fretnit e arrëstuem kur shohin
materialet historike të hapuna mjedis të Kuvendit asht i pari At Donat Kurti, Drejtor’i
Gjimnazit Françeskan, që u thotë: “... një arkë me libra e dorshkrime i kam mëshef
në një odë, e cila asht nalt pa shkallë dhe po të mos të të çojë kush nuk e gjenë
dot”. (po aty, Dosja 1248). Ndonse në grupimet që ban Sigurimi, At Çipriani
nuk asht në dosjen e Imzot Frano Gjinit, në filmin jugosllav “Dosja 1302/II-A”, aty
asht edhe At Çiprian Nika, At Pal Dodaj, At Donat Kurti, At Aleks Baqli dhe At Frano
Kiri. Qëndrimi burrnor dhe i patundun në hetuesi këta fretën i ban të pavdekshëm.
At Çiprian Nika asht përballë një kafshës së tërbueme që thirret kapiten i I-rë, Nësti
Kopali. (edhe materiali i tij hetimor mban datën 22 nandor 1946, pra, një vit mbas
arrëstimit!?...). Ky frat u masakrue si të gjithë tjerët, por nuk duhet lanë pa u
shkrue se, kur komunistët kishin të dhana për vlerat e ndonjë kleriku, atëherë, nuk
kënaqeshin vetëm me pushkatimin e tij, por e torturonin aq sa njerëzit që kishin bashkjetue
me te, kur ia sillnin në qeli e pyesnin: “Kush je ti?”, këtë fat të zi pat
edhe At Çiprian Nika. Në proces-verbalin me nr. aktesh: 558, dhe nr. vëndimi 224,
Prokuroria Ushtarake e Shkodrës, me akt-akuzën nr. 581, me datën 26 dhetor 1947, sjellë
për gjykim në një dhomë të kuvendit: At Çiprian Nikën, nga Shkodra dhe At Pal Dodën
nga Janjeva e Jugosllavisë, për fajin se: “... gjatë gjithë jetës së tyre pranë Klerit
Katolik kanë zhvilluar aktivitet të rrezikshëm anti-popullor... duke qenë elementa
me pozitë dhe udhëheqës të Klerit Katolik në Shqipni... me anën e këtyre lidhjeve
të kombinuara me Demokristjanen kanë menduar për një kryengritje të armatosur kundër
Pushtetit... Me qëllim që të furnizojnë kriminelat e arratisur për të goditur Pushtetin
kanë fshehur në Seminar dhe në Kishë armë të ndryshme lufte, revolvera, pjesë ndrrimi
mitralozi dhe shumë arka me municion lufte. Faje këto të parashikuara prej nenëve
2, 3 (pika 1, 2, 4, 7, 8, 14) të ligjes Nr. 372. Këto akte mbasi u rregjistruan në
Nr. 558 të Rregj.Them. Për ditë gjyqi u caktua data 26 dhetor 1947, ditë e premte,
ora 3 mbas dreke. Shkodër, 26 dhetor 1947 Sekretari: Sh. Dautaj d.v. Kryetari: M.
Bllaci d.v. (firmat). Ditën e premte, datë 26 dhetor 1947, ora 3 mbas dreke u formua
trupi gjykues si vijon: Kryetar: Kap. I-rë Misto Bllaçi, Antarë: Toger Bastri Beqiri,
dhe N/Toger Anastas Koroveshi. Duke qenë gati Prokurori Ushtarak Kap. Namik
Qemali, dhe Sekretari Tish Tukja: U pyet i pandehuri At Çiprian Nika dhe
tha: ... Jam dërgue nga Provinçiali me krye studimet e larta dhe jo nga kush tjetër...
kam pasë shok At Frano Kirin... Austria e mori në dorë çështjen e Klerit Katolik që
të mos merrej nëpër kambë... interresat e tyne nuk i dij. Me Sheuqet Verlacin kam
pasë lidhje zyrtare ... Nuk e dij a kje ma e mirë koha e regjimit të Zogut a sot ...
Mue nuk mu ndalue me marrë frymë, por mu ndaluen burimet e jetesës, p.sh. tokat e
kuvendëve na i mori Pushteti i sotëm dhe shkollat i mbylli. Tokat i mori qeveria dhe
nuk dij kujt ia dha... Enciklika e Papës flet për komunizmin në Rusi dhe Meksikë,
në Rusi kishte Fé dhe besim dhe nuk mundet me kenë që të gjithë janë komunista ateista.
Edhe na Françeskanët jemi komunista. Na kemi jetue me pak ndryshim nga fshatarët
atje ku shërbenim. .... me Enciklikë doli në shesh doktrina komuniste që asht kundër
doktrinës së Krishtenë... këtë e kam pa ndër disa revista që keni botue ju, si dhe
në radio “Shkodra” që asht vue në tallje Kristjanizmi... Kishat nuk janë prishë akoma,
por janë mbyllë shkollat e shoqnitë fetare, ku asht edukue rinija me parimet e fesë
dhe jo me politikë... Lufta për zhdukjen e komunizmit mue më pëlqeu, por mund të zhdukej
edhe me paqë. Lufta kundër okupatorit na shkatrroi ma shumë ne, u dogjën
fshatra e lagje qytetësh dhe u vranë shumë njerëz, kjo nuk më pëlqej mbasi mund të
bahej me kombinacione politike. Rrënimet i kjava me lot gjaku.... Padër Antoni u dënue,
por nuk dij se pse u tha se punoi kundër popullit... Unë kam kenë profesor dhe nuk
dij se asht predikue për fashizmin as prej meje as prej shokve... Nuk kemi punue për
ardhjen e fashizmit në Shqipni... Na i kemi marrë ndihmat se nuk kishim me se të jetonim
dhe të mbanim shkollat.... Në kohën e okupatorit kam shkue në Kosovë me fratel Gjonin
tek At Bernard Llupi, me marrë ushqime për xhakoj, ndërsa në Logutenencë shkonte At
Rrok Gurashi, ai asht dhelpën e madhe... shumë gjana që i bante ky, i nxirrte në skenë
me anë të At Palajt... Demokristjanën nuk e kam formue unë, mbasi nuk jam marrë me
politikë, atë e ndigjova në radio kur u ba gjyqi por as nuk e mora vesht kush e kishte
krijue. Kur u ba çlirimi i Shqipnisë nuk e dij... se nuk më erdhi mirë që u ba nga
partizanët, kur u çlirue nga okupatorët italian e prita mirë. Nuk më ka pëlqye
Partia, më pëlqenin Nacional-Çlirimtarët, Balli dhe Legaliteti... sistemi i qeverimit
asht kundër parimëve të mija... Më ka pëlqye që të drejtonin në Pushtet klasat që
kanë studjue, mbasi fshatarët shumica janë pa shkollë... Në Tiranë ishte Imzot Gjini
për me shkue në qeveri, por nuk dij se ka shkue ndër legata të hueja... Padër Mati
Prennushi në atë kohë ishte Provinçial, por ky nuk më shpjegoi se çka kanë shtrue
kur kanë shkue në Tiranë... Nuk dij gja për Demokristjanën, kur asht ba sulmi prej
Postribës nuk kishe dijeni dhe as nuk kam bashkëpunue me njeri... Nuk kam mësheh asnjë
armë në kuvend... Në Elterët e shenjtë nuk dij se u gjet gja, tash kujtohem se u gjetën
do libra, por nuk dij se u gjetën armë... Nuk kam sabotue zgjedhjet e 2 dhetorit...
Për votime kam shkue në Troshan. Në votime nuk dola fare. Këto nuk ishin të lira se
nuk doli asnjë parti opozitare. Na kujtuem se nuk kishte arkë boshe, se, po ta kishe
dijtë se ka, do të kishe shkue për ta hjedhë votën kundër. Të gjithë bashkë me At
Mati Prennushin s’kena dalë fare ndër votime... Nuk kam pasë lidhje me të
arratisun... At Antonit i kam çue dy herë ushqime me një grue, se mi kërkoi si shok
dhe nuk e njof si trathtar... përhapjen e komunizmit në Shqipni e konsideroj ateiste,
prandej jam kenë dhe jam kundër tij. Si konseguencë fatale kam konsiderue mohimin
e egzistencës së Zotit. Nga ky kam mendue dhe mendoj, se mohohen të gjithë ligjët
morale, si ndera, dashtnija, drejtësia etj. Dhe si përfundim kam nxjerrë me vehten
time, se me përhapjen e komunizmit ateist do të shkatrrohet shoqnia njerzore... Direktivat
janë dhanë me anë të librave të teologjisë dhe filozofisë... Qëndrimi i ynë kundrejt
komunizmit ateist asht qenë armiqësor... Unë kam dishrue që në luftën e gjermanëve
me Bashkimin Sovjetik, të fitonin forcat gjermane, dhe nuk dishroja që ushtria e kuqe
të përhapej në Prendim, mbasi me përhapjen e komunizmit rus ndihet edhe rreziku serb.
Fitoria e Gjermanisë ishte në favor të Shqipnisë... Xhakonin Ndoc Vasili e qita jashtë
pse nuk kishte sjellje të mira, nuk e qita pse ishte lidhë me qeveri, se nuk kishëm
frikë nga ky se merrësh vesht me qeveri, por ky merresh vesht vetëm me të huej, pse
edhe shqiptarët kishin gjithfarë ngjyrash që nuk na pëlqenin né... Dëshira e eme dhe
e shokëve të mij ka kenë me e shue farën e komunizmit në Shqipni.” (Dosja 1248).
Në dosje asht edhe mbrojtja e avokat Dr. Emid Tedeschinit, që ban mbas dhanjes së
pretencës së prokurorit, ndër të paktat raste që kam mujt me pa. Dokumentët e At Pal
Dodës, vëndimet e Tiranës dhe fjalën e fundit të At Çiprianit para pushkatimit nuk
kam pasë mundësi me i pa. Avokat Dr. E. Tedeschini shkruen: “I pandehuni Patër Çiprian
Nika, mbi pyetjet e Jueja ka shfaqë haptazi se shka ka mendue, shka ka dishrue dhe
shka ka veprue. Mendimet e tija, ai i ka shfaqë sinçerisht dhe ky sinçeritet
rreth idenave të tija më duket nji provë e fortë me i besue edhe deponimëve të tija,
që i referohen veprave. Këtu, zotni Gjyqtar, nga pikëpamja ligjore na intereson vetëm
vepra konkrete dhe, jo, idenat abstrakte që ai ka. Këto idena na interesojnë vetëm
e vetëm për me zbulue shkakun e veprave. Deponimet e tija para gjyqit janë përgjithësisht
konform me proçes-verbalin hetimor, kështu, që, për dhanjen e gjykimit mund të mbështetemi
vetëm mbi atë proçes dhe mbi ato deponime dhe mbi mënyrën e shfaqjes së tyne para
gjyqit...”(Dosja 1248, po aty). Fjala e fundit në gjyq ishte: “Lutem, të merrni
parasysh mbrojtjen e avokatit që më ka caktue gjykata”. Me datën 28 dhetor
1947, Trupi Gjykues dha vëndimin: 1. At Çiprian Nika nga Shkodra, me vdekje me
pushkatim. 2. At Pal Dodaj nga Janjeva, Jugosllavi, me privim lirije përjetë. Sekretari:
T. Tukja, Antarë. B. Beqiri, A. Koroveshi dhe Kryetari Misto Bllaci, d.v. (Firmat) AT
ÇIPRIAN NIKA u pushkatue më 11 mars 1948, në orën 5 të mëngjezit, në Zallin e Kirit,
në Shkodër, bashkë me vëllaznit e shokët e gjithë jetës...