2010-03-11 12:56:51

Aktualiteti i Fjalës së Zotit, në dritën e Sinodit të 2008-tës, në librin e ri të përgatitur nga imzot Nikola Eteroviç


(11.3.2010 RV)“Të ripohohet rëndësia dhe aktualiteti i Biblës, të përhapen mësimet e Benediktit XVI mbi këtë temë, por edhe të reflektohet mbi mjetet e nevojshme, që duhen përdorur, për ta kuptuar Shkrimin Shenjt, duke pasur parasysh edhe vlerat e tij të pashembullta letrare”: këto janë qëllimet e librit “Fjala e Zotit. Reflektime mbi asamblenë XII të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të ipeshkvijve”.
Vëllimi, i shkruar nga Imzot Nikola Eteroviç, sekretar i përgjithshëm i asamblesë sinodale, shtypur nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, u paraqit dje, pranë Radio Vatikanit.
Fjala e Zotit, e fuqishme, si bubullima, që e bënte të dridhej Malin e Sionit; e njëkohësisht e këndshme dhe e lehtë, si era që ndjen Elia në malin Horeb, sot, më shumë se kurrë, përveçse themel i jetës dhe i misionit të Kishës, është llambë, dritë, që ndriçon rrugën e çdo njeriu, është ushqim që ushqen fenë, prandaj duhet dëgjuar, duhet lexuar, duhet mishëruar, derisa të zbulohet, përtej tekstit, kuptimi e vlera shpirtërore e saj. Ky, përmbledhtas, është mesazhi, që përcjell libri i cili, duke propozuar edhe një herë elementet kryesore të Sinodit të ipeshkvijve, mbajtur në tetor të vitit 2008, e pikërisht mbi temën e Fjalës së Zotit, trajton argumente të rëndësishme, si homelia e Lectio divina, mjete këto të nevojshme për komunikimin e doktrinës së Kishës, e jo vetëm kaq. Por, ta dëgjojmë vetë autorin, imzot Eteroviçin:

“Etërit sinodalë nënvizuan se mundësia kryesore për kumtimin e Fjalës së Zotit është liturgjia; e homelia bën pjesë në Liturgjinë e Fjalës së Zotit. Prandaj Mesha Shenjte është e rëndësishme, është mundësi, kusht për të shpallur Fjalën e Zotit, për ta reflektuar, për t’u lutur, për të dëgjuar homelinë e për ta realizuar këtë Fjalë në jetën e përditshme. Edhe Lectio divina (ligjëratë mbi Fjalën e Hyjit) lidhet me kremtimin liturgjik. Sinodi nguli këmbë tek përgatitja individuale e komunitare, në forma nga më të ndryshmet, një nga të cilat mund të jetë leximi i Letrave, para se të shkohet në Kishë – sipas metodës së Lectio divina – por edhe më pas, në mënyrë që e gjithë jeta e të krishterit të jetë e lidhur me Fjalën e Zotit”.

Duke nënvizuar përmasën polifonike të Fjalës së Zotit, auktori ripohon edhe aktualitetin e saj, posaçërisht në momentin aktual historik, përmes krizës ekonomike financiare, por edhe atë vlerave e të edukimit. Ja përsëri pohimi i imzot Eteroviçit:

 
“Shumë aktual është Shpirti Shenjt që është i pranishëm edhe sot e kësaj dite në Kishën e sotme. Është Shpirti Shenjt që ka frymëzuar Shkrimet e Shenjta e që na mundëson të shohim gjallërinë dhe dinamizmin e madh të Shkrimeve të Shenjta, që na fle të gjithëve e është përherë aktuale. Çdo brezni, çdo person mund të gjejë burimin e ujit të pastër e të jetës së amshuar që vjen nga Jezu Krishti”.

Nga Fjala e mishëruar tek angazhimi konkret drejt dialogut ndërfetar, misionaritetit, dhe realizimit të një bote të pajtuar, në paqe e drejtësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.