Sot më 10 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Makarion e Jeruzalemit, ipeshkëv
(10.3.2010 RV)Kalendari kishtar shënon 14 shenjtorë me këtë emër shumë simbolik,
Makario, që i përkthyer nga greqishtja në shqip do të thotë "i lumtur". Makario, për
fëmijërinë dhe rininë e të cilit dihet shumë pak, u zgjodh ipeshkëv i Jerusalemit
në vitin fatlum 314, kur Perandori Konstantin mundi Maksencin në Urën e Milvios. Atëherë
Ipeshkvi shembi shtyllën që romakët e kishin ngritur mbi tempullin e rrafshuar të
Jerusalemit dhe nxori rishtas në dritë vendet e adhuruara nga mbarë krishterimi: zonën
e Kalvarit dhe Varrin e Krishtit. Atje më vonë do të lartohej bazilika e madhe e Ringjalljes.
E po atje do të shkonte si shtegtare e ëma Kostantinit, Elena. Shenjti mori pjesë
në Koncilin e parë ekumenik, kremtuar në Nike, në vitin 325, ku mbajti qëndrim të
ashpër kundër gabimeve të Arios, i cili e konsideronte prelatin si një nga kundërshtarët
e tij më të rreptë. Dha një kontribut të shquar në hartimin e dokumenteve të Koncilit,
duke shkruar edhe Simbolin nikean, Besojmën, që u miratua nga etërit konciliarë. Është
po ajo Besojmë që e shqiptojmë edhe sot e kësaj dite në meshë e në çaste kritike të
jetës, për të pohuar besimin në një Zot, Atin e Gjithëpushtetshëm e në Jezu Krishtin,
Birin e Tij, një të vetmin Zotin tonë!