2010-03-10 17:08:09

Papa në audiencë të përgjithshme: Kisha nuk është utopizëm anarkik, është përherë Kishë e mëkatarëve, e përherë vend i hirit të Zotit.


(10.03.2010 RV)RealAudioMP3 Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, Papa bëri një thirrje të fuqishme për t’i dhënë fund dhunës në Nigeri dhe i ftoi të gjithë të punojnë për paqen. Më pas u shprehu afërsinë e tij viktimave të tërmetit, që tronditi këto ditë Turqinë.
Katekizmin ia kushtoi veprës dhe doktrinës së Shën Bonaventurës së Banjorexhos, duke u përqendruar tek përgjigjja që u dha teorive të françeskanit Xhoakino da Fiore, sipas të cilit duhej pritur një fazë e re e historisë, ajo e Kishës së Shpirtit Shenjt, që do të vinte pas Kishës hjerarkike. E ndërsa përsëritet kjo ide, sipas së cilës Kishës i ka kaluar koha – tha Papa – kemi edhe një teori tjetër, atë të utopizmit spiritualistik, që vijon të përsëritet.
Para audiencës, Benedikti XVI përshëndeti, në Bazilikën e Vatikanit, shtegtarët e ‘Fondacionit Don Karlo Njoki’, duke kujtuar figurën e ndritur të priftit milanez, lumnuar vitin e kaluar.

Dhuna nuk është kurrë rrugë e drejtë për të zgjidhur konfliktet: Benedikti XVI e ripohoi këtë me forcë, duke kujtuar lajmet tragjike, që arrijnë nga Nigeria, ku qindra civilë të pambrojtur, posaçërisht të krishterë, gjetën vdekjen gjatë ndeshjeve ndëretnike. Papa foli për ‘dhunë rrënqethëse”, që nuk kurseu as fëmijët e pafajshëm:
“Edhe një herë përsëris, me shpirt të coptuar nga dhimbja, se dhuna jo vetëm që nuk i zgjidh konfliktet, por i thellon pasojat e tyre tragjike. U bëj thirrje të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi civile e fetare në vend, të punojnë për sigurinë dhe për bashkëjetesën paqësore të të gjithë popullsisë. U shpreh, më në fund, afërsinë time Barinjve dhe besimtarëve nigerianë e lutem që, të fortë e të patundur në shpresë, të jenë dëshmitarë të vërtetë të pajtimit”.
Benedikti XVI u shprehu afërsinë e tij edhe njerëzve të dëmtuar nga termeti, që lëkundi këto ditë tokën turke, duke shkaktuar vdekjen e 50 personave:
“I siguroj të gjithë për lutjen time, ndërsa i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të japë, me gatishmëri e bujari, ndihmën e vet”.
Para thirrjeve për Nigerinë e për Turqinë, Papa mbajti katekizmin e audiencës, kushtuar veprimtarisë letrare dhe doktrinës së Shën Bonaventurës së Banjorexhos, pasi pati folur, të mërkurën e kaluar, për jetën e tij. ‘Doktori serafik’ – nënvizoi – pati meritën të interpretojë vërtetësisht e besnikërisht figurën e Shën Françeskut të Asizit. Posaçërisht – shpjegoi – Shën Bonaventura pati të bëjë me ‘Françeskanët Spiritualë’ të cilët, të prirë nga Xhoakino da Fiore, pohonin se Kisha e kishte kryer tashmë rolin e vet historik e se vendin e saj po e zinte një bashkësi karizmatike, e përbërë nga njerëz të lirë, të cilëve u printe drejtpërdrejt Shpirti Shenjt:
“Krijohej, pra, rreziku i keqkuptimit të rëndë të mesazhit të Shën Françeskut, të besnikërisë së tij të përvujtë ndaj Ungjillit e ndaj Kishës, e një keqkuptim i tillë krijonte një vizion të gabuar për Krishterimin, në tërësinë e tij”.
Bonaventura paraqitit vizionin e drejtë të teologjisë e të historisë, duke shpjeguar se me konceptimin spiritualistik, Urdhëri françeskan nuk mund të qeverisej, prej këndej, do të shkonte logjikisht drejt anarkisë. Më pas, jashtë tekstit zyrtar, Papa shtoi një reflektim për Kishën e pas Koncilit:
“E dimë se pas Koncilit II të Vatikanit disa ishin të bindur se gjithçka është e re, se lindi një Kishë tjetër, se Kisha parakonciliare kishte marrë fund e se kishim një Kishë të re, krejtësisht të ndryshme, një utopizëm anarkik; por, me ndihmë të Zotit, timonierët e urtë të barkës së Shën Pjetrit, Papa Pali VI e Papa Gjon Pali II, nga njëra anë mbrojtën risinë e Koncilit, e nga ana tjetër, unicitetin dhe vazhdimësinë e Kishës, e cila është përherë Kishë e mëkatarëve e përherë vend i hirit”.
Shën Bonaventura – shtoi Papa – nuk e pranoi idenë e ritmit trinitar të historisë. Hyji është një për të gjithë historinë e nuk mund të ndahet në tri hyjni. Historia është një dhe e pandarë, ndonëse është ecje, ecje e vazhdueshme drejt progresit:
“Nuk duhet të presim një Ungjill tjetër, një Kishë tjetër. Prandaj edhe urdhëri françeskan duhet të radhitet në këtë Kishë, në fenë e saj, në rendin e saj hjerarkik. Por kjo nuk do të thotë se Kisha është e palëvizshme, e ngulur në të kaluarën e se në të nuk mund të ketë kurrfarë ndryshimi”.
Më pas Papa reflektoi mbi ‘Itinerarium mentis in Deum” – “Shtegtimi i mendjes në Zotin”, vepra më e njohur e Shën Bonaventurës, doracak i vërtetë i kundrimit mistik që – vërejti Benedikti XVI – duhet thelluar posaçërisht nga drejtuesit shpirtërorë. Shën Bonaventura – shpjegoi në vijim Ati i Shenjtë – na kujton se ky shtegtim drejt bashkimit mistik me Zotin, kërkon nga ne disiplinë shpirtërore, në të cilën sundon drejtësia, dashuria e krishterë, lutja e meditimi.
Në çastin e përshëndetjeve, duke u folur shtegtarëve të gjuhës angleze, Papa i quajti “shenja premtuese për paqen”, zhvillimet e fundit në Irlandën e Veriut. E, në vijim, i siguroi besimtarët se lutet që paqja, e dëshiruar nga të gjithë, të mbretërojë kudo.
Duke folur në gjuhën italiane, Benedikti XVI përshëndeti, në mënyrë të veçantë, shtegtarët, që mbartin Pishtarin benediktin të paqes, ardhur sivjet nga Këlni, ku flakën e ndezi kardinali Joakim Maisner. “Si simbol i vlerave të thella njerëzore e kristiane – theksoi Papa – ajo ndrin sot pranë Varreve të Apostujve, për të vijuar shtegtimin, drejt Norçies.
Më pas Ati i Shenjtë uroi që manifestime të tilla të ngjallin në zemrën e të gjithë njerëzve vullnetmirë, impenjimin bujar për solidaritet e paqe.

Pak para audiencës së përgjithshme në Sallën e Palit VI, Papa u takua, në Bazilikën e Vatikanit, me besimtarët që marrin pjesë në shtegtimin e organizuar nga “Fondacioni Don Karlo Njoki”. Benedikti XVI u ndalua posaçërisht tek figura e ndritur e meshtarit ‘apostull i kohëve moderne e gjeni i dashurisë së krishterë”, që ia kushtoi gjithë jetën kujdesit për të vegjëlit e gjymtuar, viktima të luftës, në të cilët shikonte fytyrën e Zotit:
“Në këtë Vit meshtarak, Kisha, edhe një herë, e shikon atë si model që duhet imituar. Uroj që shembulli i tij i ndritur të jetë mbështetje për të gjithë ata, që i kushtohen shërbimit të më të ligështve e të ngjallë në zemrën e meshtarëve dëshirën për të rizbuluar e për të rigjallëruar vetëdijen e dhuratës së jatshtëzakonshme, që përfaqëson shugurimi meshtarak për atë që e ka marrë, për Kishën e për mbarë botën”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.