2010-03-09 17:26:08

“Hakmarrje e tmerrshme tribale”. Kaigama, ipeshkvi i Zhosit në Nigeri flet mbi masakrimin e 500 të krishterëve.


(09.03.2010 RV)Në shtetin e Platosë në Nigeri situata vazhdon të jetë e nderë. Ditët e kaluara këtu u copëtuan me sëpata ose u dogjën për së gjalli më se 500 vetë, kryesisht të krishterë ndër të cilët gra dhe fëmijë. Tashti aty gjenden trupat ushtarake që po patrullojnë zonën ndërkohë që janë ndezur polemikat për vonesat në ardhjen e ushtarëve. Ipeshkvi i Zhosit, Ignacius Kaigama që është edhe bashkëkryetar i Këshillit nigerian për dialogun ndërfetar, dhe që punon krah për krah me udhëheqësit myslimanë në vend, thotë se ajo që ka ndodhur ka qenë vetëm një hakmarrje me karakter tribal. Nuk ka pra, motive fetare, pavarësisht faktit se sulmuesit qenë myslimanë dhe viktimat të krishterë. Po, le të dëgjojmë vetë ipeshkvin e Zhosit, Imzot Ignacius Kaigama:

Përgjigje: Kemi një krizë të tmerrshme këtu në periferinë e Zhosit. Janë vrarë njerëz të paaftë, fëmijë, gra...një situatë e tmerrshme. Po bëjmë sa mundemi për t’i dhënë besim njerëzve, për t’i ngushëlluar, për t’i ndihmuar me çdo mënyrë. Tashti po marr pjesë në një mbledhje organizuar nga presidenti i Nigerisë: duhet të kërkojmë rrënjët e kësaj krize. Po përpiqemi të bëjmë gjithçka mundemi për rikthimin e drejtësisë në Zhos, emri i të cilit do të thotë “qytet i paqës”. Përpara shumë vjetësh, ky ishte qyteti më i bukur i Nigerisë dhe njerëzit ishin shumë të lumtur. Fatkeqësisht, kjo krizë i ka ndryshuar gjërat. Por me ndihmë të Zotit, dalëngadalë do të kthehet paqja.”







All the contents on this site are copyrighted ©.