2010-03-09 16:13:40

Në lidhje me debatin mbi abuzimet seksuale: notë e Atë Federiko Lombardit.


(09.3.2010 RV)“Kisha është duke bërë të pamundurën në mënyrë që në të ardhmen të mos përsëriten më kurrë abuzimet seksuale me të mitur”. Kështu mund të përmblidhet me pak fjalë nota që dha për mjetet e informacionit drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe i Radio Vatikanit Atë Federiko Lombardi, në lidhje me debatin që ka shpërthyer kohët e fundit për abuzimet seksuale të disa priftërinjve me të mitur në disa Vende evropiane. Le të dëgjojmë vetë Atë Lombardin:

“Prej disa muajsh Kisha dhe shoqëria irlandeze janë përfshirë në çështjen tepër të rëndë të abuzimeve seksuale me të mitur që kanë ndodhur në institucione të drejtuara nga entet kishtare nga ana e disa personave me përgjegjësi në Kishë. Nga ana tjetër Ati i Shenjtë kohët e fundit ka treguar se ndjehet i prekur nga kjo çështje dhe e ka shprehur këtë në dy takime, me përfaqësuesit e episkopatit dhe pastaj me të gjithë ipeshkvijtë ordinarë. Ndërkaq Benedikti XVI është duke përgatitur botimin e një letëre mbi këtë çështje drejtuar Kishës në Irlandë.

Mirëpo javët e fundit debati mbi abuzimet seksuale me të miturit ka përfshirë edhe Kishat e disa vendeve të Evropës qendrore si Gjermania, Austria e Holanda. Na lejoni që të shprehem disa konsiderata të thjeshta mbi këto zhvillime të fundit ” - vijon nota e zëdhënësit të Sallës së Shtypit të Vatikanit Atë Federiko Lombardit.

“Institucionet kryesore kishtare të përfshira në këto skandale ( Provinca e jezuitëve gjermanë, me rastin e Kolegjit Kanizius në Berlin, Konferenca Ipeshkvnore Gjermane, Konferenca ipeshkvnore austriake, Konferenca Ipeshkvnore hollandeze) i kanë bërë ballë këtij problemi me gatishmëri dhe vendosmëri. Kanë dhënë prova se kanë vullnet për transparencë, dhe në një farë mënyre e kanë përshpejtuar përhapjen e çështjes duke i ftuar viktimat që të flasin edhe atëherë kur bëhej fjalë për raste të shumë viteve më përpara. Duke vepruar në këtë mënyrë i kanë trajtuar çështjen në mënyrë të duhur sepse pika nga e cila duhet nisur është pranimi i asaj çka ka ndodhur, si dhe shqetësimi për viktimat e pasojat e akteve të kryera kundër tyre. Më tej, kanë janë marrë në konsideratë edhe udhëzimet ekzistuese ose janë parashikuar edhe norma të reja për të vënë në qendër të vëmendjes strategjinë për parandalimin e këtyre akteve të shëmtuara në mënyrë që këto ngjarje të rënda të mos përsëriten kurrë më në të ardhmen.

Të gjitha këto fakte e mobilizojnë Kishën të formulojë përgjigjet e duhura të cilat duhen futen në një kontekst të një problematike më të gjerë që lidhet me mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga abuzimet seksuale në shoqëri. Sigurisht gabimet e bëra nëpër institucionet kishtare nga përgjegjës të kishës janë veçanërisht të rënda, po të kemi parasysh përgjegjësitë morale dhe edukative që ka Kisha. Por të gjithë personat objektivë dhe të informuar e dinë se çështja e pedofilisë është më e gjerë se kaq dhe se përqendrimi i të gjitha akuzave ndaj Kishës, çojnë tek falsifikimi i perspektivës. Lidhur më këtë ja një shembull: fjala vjen, të dhënat e fundit të autoriteteve kompetente në Austri tregojnë se, për të njëjtën kohë, rastet e abuzimeve që kanë të bëjnë me institutet kishtare kanë qenë 17 ndërsa ka pasur 510 raste tjera pedofilie në ambiente të tjera jo kishtare. Pra, është mirë që të shqetësohemi jo vetëm për ato brena Kishës por edhe për këto që ndodhin përgjithësisht në shoqëri.

Me shumë të drejtë në Gjermani, tani flitet për nisma të promovuara nga Ministria e Familjes për të organizuar një tavolinë të rrumbullakët ku të mblidhen të gjitha institucionet që merren me mbarështimin e arsimit dhe të edukimit shoqëror për t’i bërë ballë kësaj çështje në një këndvështrim më kompleks e më të përshtatshëm. Natyrisht Kisha është e gatshme të marrë pjesë. Ndoshta sepse përvoja e hidhur që Kisha ka mund të jetë kontribut edhe për të tjerët. Kancelarja Angela Merkel ka pranuar me të drejtë se Kisha në Gjermani po vepron me seriozitet dhe është e impenjuar në mënyrë konstruktive.

E për t’i plotësuar këto konsiderata, është mirë të kujtojmë se Kisha jeton brenda në shoqërinë civile dhe ka përgjegjësitë e veta, por nga ana tjetër ka edhe një rregull krejt të veçantë, atë “kanonikë” që përputhet me natyrën e saj shpirtërore dhe sakramentale, rrjedhimisht edhe procedurat e veta gjyqësore dhe penale janë të një natyre të ndryshme (për shembull nuk parashikojnë dëmshpërblim në të holla ose heqje të lirisë, por pezullim të ushtrimit të misionit apo ministrit shpirtëror, heqje të të drejtave nga ushtrimi i misionit meshtarak etj.) Në kuadrin kanonik Kishtar, krimi i abuzimit seksual me të mitur është konsideruar gjithmonë si një prej krimeve më të rënda dhe normat kanonike Kishatre vazhdimisht e kanë vërtetuar, në veçanti Letra e Papës “De delictis gravioribus” - Mbi krimet më të rënda, e vitit 2001, e cila shpeshherë citohet padrejtësisht si shkak i “kulturës së heshtjes”. Ai që e njeh dhe e di se për çka bëhet fjalë, e di se kjo letër ka qenë një sinjal themelor për të vënë në dukje se sa i rëndë është ky problem dhe shtytje për të përpunuar udhëzimet operative për t’i bërë ballë.

Në mbyllje, nuk mund të mohohen rëndësia e fajit që po përjeton Kisha, dhe duhet të bëjmë gjithçka mundemi në mënyrë që rezultatet në fund të jenë pozitive dhe të përmirësohet mbrojtja e të miturve në Kishë dhe në shoqëri si edhe pastrimi i vetë Kishës” – përfundon nota e Atë Lombardit.







All the contents on this site are copyrighted ©.